E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezha e mbuluar nga plehrat, pastrimi i qytetit në kolaps total

Qyteti i Lezhës ka filluar të ngjajë me një pirg mbeturinash, pasi pastrimi i tij nuk kryhet rregullisht nga firma sipërmarrëse e pastrimit. Shkak për këtë situatë është bërë mos lëvrimi i fondeve të parashikuara në kontratën e nënshkruar mes bashkisë Lezhë dhe firmës sipërmarrëse të pastrimit, gjë e cila ka sjellë ulje të ritmit për largimin e mbetjeve të ndryshme.
 

Aktualisht ky shërbim po kryhet çdo tre ditë, duke bërë që në të gjithë territorin e bashkisë të shihen mbeturina të shumta që i kane hequr Lezhës identitetin e një qyteti të pastër. Në kohen kur diskutohet diferencimi i mbetjeve dhe nga bashkia e Lezhës janë marrë qindra mijëra euro për projektet e realizuara për këtë qëllim, fakti në terren është krejt tjetër.
 

Burime nga kompania sipërmarrëse e pastrimit në Lezhë, kanë bërë të ditur se që prej muajit qershor, ky subjekt nuk ka marrë asnjë qindarkë nga bashkia për shërbimin e kryer prej saj, dhe se nuk ka asnjë të dhënë se kur do të zgjidhet kjo situatë.
 

Problemet me realizimin e të ardhurave në bashkinë e Lezhës kanë sjellë rëndim të situatës me pastrimin e qytetit, gjë e cila do të vijojë të përkeqësojë akoma më tej gjendjen. Megjithëse nuk ka marrë asnjë lekë nga bashkia në 5 muajt e fundit, firma sipërmarrëse e pastrimit në qytetin e Lezhës ka vijuar të largojë mbetjet me qëllim që të mos përkeqësojë akoma më shumë gjendjen në të cilin ndodhet ky qytet. Bashkia e Lezhës nuk ka dhënë asnjë shpjegim, ndërsa deklarohet se në ditët në vazhdim do të ketë një reagim në lidhje me këtë situatë të krijuar.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›