Lezhë/ Policia gjobit me 200 mijë lekë një lokal në Shëngjin për ndotje akustike

Policia e Lezhës ka intensifikuar kontrollet për respektimin e nivelit të lejuar të zhurmave dhe orarit të aktiviteteve muzikore gjatë sezonit turistik, duke ndëshkuar me gjobë një subjekt në Shëngjin.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara nga shërbimet e Stacionit të Policisë Shëngjin, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale “Shqiponja”, u konstatua se një lokal tejkalonte nivelin e lejuar të zhurmës, sipas matjeve të kryera me pajisje të posaçme.
Për këtë shkelje, administratorja e lokalit, shtetasja E. P., 37 vjeçe, u ndëshkua me masë administrative në vlerën 200 mijë lekë.
Kontrollet janë përqendruar në zonat turistike dhe janë bazuar si në hartëzimin e zonave me risk për ndotje akustike, ashtu edhe në ankesat e qytetarëve. Përveç matjes së nivelit të zhurmës, Policia ka verifikuar edhe respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, i cili sipas legjislacionit në fuqi është nga ora 11:00 deri në 24:00.
Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror, në kuadër të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, me synim krijimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për banorët dhe turistët.
Policia e Lezhës u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo shkelje apo paligjshmëri.
/rtsh.al/