Lezhë, nënë e bir vriten për një dele
Nikolin dhe Mrika Matrizi janë vrarë nga Pashk Ndreca pas sherrit për një dele të humbur gjatë orëve të paradites
Familjarët e të arrestuarit: Familja Matrizi erdhi të na kërcënonte me një granatë në dorë
LEZHË- Një djalë 20- vjeç dhe nëna e tij 50- vjeçare janë ekzekutuar mbrëmjen e djeshme në një fshat të rrethit të Lezhës. Ngjarja e rëndë ka një motiv tepër banal, sherrin mes bashkëfshatarëve për një dele të humbur. Zënka ka degjeneruar më pas në konfliktin që i mori jetën dy personave. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21 e 45 minuta në fshatin Gryka e Zezë ndërsa viktimat janë Nikolin dhe Mrika Matrizi. I dyshuari kryesor për këtë ngjarje është shtetasi Pashk Ndreca, i cili u arrestua disa minuta pas ngjarjes nga policia lokale.
Hetuesit e policisë së Lezhës pohuan se gjithçka ka nisur paraditen e djeshme në fshatin Gryka e Zezë. Familja Matrizi kishte nxjerrë kafshët e saj në kullotë por në drekë një prej deleve të tyre nuk është kthyer në shtëpi. Ata kanë dalë për ta kërkuar dhe më pas kanë mësuar se delja mund të ishte vjedhur nga bahkëfshatari i tyre, Pashk Ndreca. Në orët e darkës Nikolin dhe Mrika Matrizi kanë shkuar në shtëpinë e Ndrecës ku dhe i kanë kërkuar delen e tyre. Ndreca i ka thënë se ai nuk u kishte marrë delen dhe në këtë mënyrë ka nisur konflikti. Hetuesit pohuan se anëtarët e familjes së Pashk Ndrecës kanë thënë se Nikolin dhe Mrika Matrizi kanë qenë të armatosur. “Ata kishin me vete një granatë dhe na thanë se do të na vrisnin nëse nuk u jepnim delen e tyre”,- kanë pohuar në polici njerëzit e familjes Ndreca. Sipas dëshmive të para është mësuar se Pashk Ndreca ka hyrë sërish në shtëpinë e tij ku dhe ka marrë një armë.
Ai ka dalë në oborr dhe ka hapur zjarr me breshëri duke vrarë Nikolin dhe Mrika Matrizin, respektivisht 20 dhe 50 vjeç. Nënë e bir kanë mbetur të vdekur në vend nga plumbat e automatikut ndërsa banorët e fshatit kanë njoftuar policinë. Disa minuta më pas efektivët e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, lagjen Gjashë të fshatit Gryka e Zezë. Dëshmitë e mbledhura në vendngjarje kanë treguar se autori i krimit ishte Pashk Ndreca dhe ai është arrestuar. Burimet zyrtare të policisë pohuan se deri tani kanë mbledhur vetëm dëshmitë e anëtarëve të familjes së Pashk Ndrecës dhe ende nuk mund të jepet një version përfundimtar në lidhje me ngjarjen. “Vrasja ka ndodhur pasdite vonë dhe ende nuk është zbardhur plotësisht çdo detaj i saj. Dëshmitë e para tregojnë që konflikti ka nisur për një dele e më pas ka përfunduar në vënien në punë të armëve”,- thanë burimet e policisë lokale. Sipas tyre, pretendimi i familjes Ndreca se janë kërcënuar me armë, nuk qëndron. “Verifikimet kanë treguar se Nikolin dhe Mrika Matrizi nuk kanë pasur asnjë granatë ose armë tjetër me vete. E vetmja armë e përdorur dhe e gjetur në vendin e ngjarjes është automatiku tip Kallashnikov i përdorur nga autori i vrasjes, Pashk Ndreca”,- thanë burimet zyrtare të policisë së Lezhës.