E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, vendimi më dy qershor

Propozimi pritet të bëhet në fund të këtij muaji dhe zyrtarizimi në samitin e Sarajevës


BRUKSEL - Bashkimi Europian pritet që në fund të këtij muaji, të rekomandojë një propozim pozitiv për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në hapësirën "Shengen".


Ky propozim do t'i paraprijë konferencës së përbashkët që do të mbahet më dy qershor në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës, ku eurodeputetët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të marrin një vendim politik të bazuar në kriteret teknike që dy vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë përmbushur sipas Udhërrëfyesit për heqjen e regjimit të vizave.


Ky do të jetë një vendim politik, i cili nuk dihet nëse do të merret në bllok apo veçmas për këto dy vende. Sinjalet për një vendim pozitiv për Shqipërinë u përcollën dje nga Brukseli, ndërkohë që vendimi përfundimtar në fund të këtij muaji do të merret vetëm nëse negociatat në Strasburg do të dalin më një rezultat pozitiv.


Ndërkohë, finalizimi i këtij procesi me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën mund të ndodhë në fund të vjeshtës së këtij viti, pasi në këtë periudhë Parlamenti Europian do të vëzhgojë edhe mënyrën sesi do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme në Bosnje-Hercegovinë, çka mund të shtyjë procesin e heqjes së vizave deri në fund të vitit 2010 apo muajin janar të vitit tjetër.


Për sa i përket përmbushjes së kritereve teknike deri më tani nga ana e Shqipërisë, siç janë siguria e kufijve, siguria e kartave të identitet etj., është vërejtur një progres, por qeveria shqiptare është vonuar në plotësimin e blloqeve të Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.


Një raport vlerësues i Komisionit Europian një muaj më parë evidentonte se një pjesë e mirë e kuadrit ligjor është miratuar vetëm në 3 mujorin e parë të këtij viti, megjithëse kriteret përcaktoheshin qartë që në 4 qershor të vitit 2008, kur u dorëzua Udhërrëfyesi.


Gjithashtu, nga ky institucion i BE-së është tërhequr vëmendja se Shqipëria ka përmbushur një nga katër blloqet e Udhërrëfyesit, ndërsa 3 të tjerët janë plotësuar pjesërisht. Për këtë arsye, Bashkimi Europian ka kërkuar zbatimin me efikasitet të një sërë ligjeve dhe strategjive, që kërkohen si kusht për heqjen e regjimit të vizave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›