PE kërcënon: Zgjidhni krizën, ndryshe rrezikoni integrimin

Në letrën e dërguar liderëve shqiptarë, të bashkëfirmosur nga kryetari i Grupit të Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian, Xhozef Daul, dhe Martin Schulz, kryetar i Grupit të Partisë së Socialistëve Europianë, kërkohet që klasa politike t'i japë fund ngërçit politik
STRASBURG - Për zyrtarët e lartë të Parlamentit Europian kishte ardhur koha që t'i kujtonte klasës politike shqiptare se me mungesën e dialogut mes tyre po rrezikonin të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në letrën e dërguar liderëve shqiptarë, të bashkëfirmosur nga kryetari i Grupit të Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian, Xhozef Daul, dhe Martin Schulz, kryetar i Grupit të Partisë së Socialistëve Europianë, kërkohet që klasa politike t'i japë fund ngërçit politik, pasi në të kundërt procesi i integrimit të Shqipërisë në BE mund të frenohet dhe për më tepër në opinionin e Komisionit Europian mbi statusin kandidat mund të jepet një rekomandim negativ, çka do të bënte që vendi ynë t'i largohej përfitimit të tij (statusit).
Në këtë letër, të dy përfaqësuesit kryesorë të partive të majta e të djathta në Parlamentin Europian, shprehin shqetësimin e tyre për moszgjidhjen e krizës politike në një kohë kur vendi është në pritje të marrjes së përgjigjes nga Brukseli për përgjigjet e dhëna mbi Pyetësorin e dërguar në muajin prill dhe për të vijuar më pas me hartimin e opinionit.
Por, Xhozef Daul dhe Martin Schulz theksojnë se mosarritja e një kompromisi politik midis palëve rrezikon që Komisioni Europian në hartimin e opinionit të tij të artikulojë një rekomandim negativ për shkak të mosplotësimit të kriterit politik.
Për këtë arsye, sipas tyre, për të mos ndodhur një gjë e tillë, liderët politikë duhet t'i japin fund ngërçit politik, duke e zgjidhur një herë e mirë këtë çështje, pasi, sipas tyre, nga kjo gjendje politike nuk mund të dilet në një përfundim konkret për funksionimin e demokracisë në Shqipëri.
"Dy grupet tona politike kanë frikë se nuk mund të nxirret një përfundim mbi çështjen e funksionimit të demokracisë pa zgjidhjen me kompromis të krizës politike aktuale e do të preferonim së bashku ndërprerjen e procesit të anëtarësimit, deri në kohën kur të arrihet një zgjidhje e ndershme e ngatërresës, në vend që të rrezikohet një rekomandim negativ", - thuhet në letrën drejtuar Berishës e Ramës. Kjo letër bëri që drejtuesit e forcave politike në vend të tërhiqen nga qëndrimet e tyre për t'u nisur drejt Strasburgut, në gjetjen e një kompromisi politik.
Kryeministri Berisha në njërën anë do të tërhiqej nga qëndrimet e mëparshme, duke deklaruar se ishte i hapur për të shqyrtuar kërkesat e opozitës, ndërsa Edi Rama nga ana tjetër do të ndërpriste grevën 19 ditore të urisë së 200 mbështetësve dhe deputetëve socialistë.
****************************
SHBA kërkon arritjen e kompromisit sa më shpejt që të jetë e mundur
SHBA: Koha për marrëveshje është sot
TIRANË - Vetëm pak orë para fillimit të darkës informale mes kryeministrit Sali Berisha, kryetarit të opozitës, Edi Rama, dy krerëve të grupeve parlamentare të Parlamentit Europian dhe Komisionerit për Zgjerim, Olli Rehn, në Strasburg, përmes një deklarate zyrtare, ka reaguar dje edhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë.
Në këtë deklaratë, SHBA-ja i kërkon dy forcave kryesore politike në vend, që të gjejnë kompromis, pasi populli ka nevojë urgjente për zgjidhjen e krizës politike.
"Mirëpresim nismën e BE-së dhe Parlamentit Europian për të organizuar një takim të udhëheqësve të shumicës dhe opozitës së Shqipërisë sonte në Strasburg", - thuhet në njoftimin për shtyp. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nxitur të dyja palët që të shfrytëzojnë këtë mundësi në frymën e bashkëpunimit dhe dialogut, për të arritur një kompromis sa më shpejt të jetë e mundur. "Koha për marrëveshje është sot.
Populli shqiptar ka nevojë urgjente për fundin e krizës politike dhe që Shqipëria t'i kthehet përqendrimit tek axhenda e saj euroatlantike", - thuhet në njoftimin zyrtar të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.