Librat e rinj, 27 maj 2012
Mirëmëngjes, Shqipëri
Botoi: OMSCA-1
Çmimi: 800 lekë
Poeti shqiptar, Vehbi Skënderi, vjen te lexuesi me një libër të ri poezish. Edhe në këtë cikël, ligjin mbi historinë, shoqërinë, natyrën, mbinatyrën, të prekshmen dhe të përfytyruarën e përcakton plotpushteti i bukurisë femërore, e cila është privilegj i pashmangshëm gati i barabartë në secilën të dashur, në secilën grua, në secilën nënë apo gjyshe, në secilin shpirt femëror të tronditur nga travajet e panumërta të jetës. Ja një poet që e ka gjetur në vargje rrugën që shpie në Kosovë, në Dibër, në Tetovë, në Strugë Një poet që i lidh trojet dhe krahinat e shkëputura shqiptare, duke krijuar kështu me ngulm portretin e plotë fizik dhe shpirtëror të Atdheut, ka thënë për të Agim Vinca, ndërsa shkrimtari Visar Zhiti e ka cilësuar si poeti që risjell përjetuesin e bëmave, sa individuale dhe kolektive.
Gati për rinisje
Botoi: Naimi
Çmimi: 500 lekë
Gati për rinisje (Up in the air), është libri në të cilin gazetarja e Top Channel, Monika Shoshori Stafa ka përmbledhur reportazhe, përshkrime e mbresa udhëtimi. Që në krye të herës e shoh të udhës të vë në dukje se reportazhet e gazetares historiane, Monika Shoshori Stafa, paraqiten, në mos si risi, si pasurim i formave të pasqyrimit publicistik në gazetarinë tonë. Ndihet kështu kritika e tërthortë, më saktë e nëntekstuar, për lënien në harresë të këtij zhanri gazetaresk, aq të rralluar në mediat e printuara të Shqipërisë të periudhës së tranzicionit demokratik. Një vështrim profesional i këtyre shkrimeve nxjerr në pah disa prej tipareve mjeshtërore të llojit. Reportazhet e përmbledhura në këtë vëllim, janë para së gjithash kronika për vende, ngjarje e dukuri jetësore, duke zbatuar kështu kërkesën thelbësore, informimin e publikut, shkruan prof.dr. Hamit Boriçi në parathënien e këtij libri.

