E Hënë, 2 Nëntor 2026

Librazhdi, një oaz aventurash për vizitorët, turistët nga SHBA eksplorojnë natyrën dhe mbjellin patate në Fushë-Studen

Stebleva dhe Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanice po shndërrohen në destinacione të veçanta për aventurë dhe jetën rurale.

Bashkia Librazhd po zhvillon turizmin malor, duke tërhequr udhëtarë që kërkojnë natyrë të paprekur dhe përvoja autentike. Këto zona ofrojnë një përzierje të biodiversitetit, historisë dhe kulturës vendase. Së fundmi, një grup turistësh nga SHBA vizituan këto zona, duke marrë pjesë në ecje, çiklizëm malor dhe duke kontribuar në mbjelljen e patates në Fushë-Studë, një traditë e rëndësishme për komunitetin vendas.

“Ishte një eksperiencë e paharrueshme. Kurrë nuk kam pasur mundësinë të angazhohem kaq ngushtë me jetën rurale dhe natyrën në një vend kaq të bukur. Mbjellja e patates ishte një aktivitet i veçantë që më bëri të ndjehem i lidhur me këtë komunitet dhe me traditat e tyre. Gjatë vizitës time këtu, kam mundur të shijoj një natyrë të paprekur dhe të bëj aktivitete që nuk do të mund t’i përjetoja askund tjetër. Mikpritja e vendasve ishte e jashtëzakonshme, dhe do të kthehem sërish për të eksploruar më shumë këtë zonë fantastike,” shprehet turisti.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura, Fatmir Brazhda, theksoi se kjo qasje e re në turizëm po tregon shenja suksesi dhe po ofron mundësi të reja për zhvillimin e turizmit malor.

“Është një lloj turizmi i ri që po implementohen në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanice ku turistët përveçse shijojnë ambientin, duan edhe të kontribuojnë në mbjelljen e kulturave bujqësore”, tha Brazhda.

Librazhdi, me pasurinë e tij natyrore dhe kulturore, po pozicionohet gjithnjë e më shumë në hartën e destinacioneve malore më tërheqëse të Shqipërisë, duke ofruar jo vetëm aventurë, por edhe mundësi për përvoja të paharrueshme dhe të veçanta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›