E Hënë, 2 Nëntor 2026

Paraqitja e dobët në zgjedhje, Dashamir Shehi dorëhiqet si kryetar i LZHK: Pranoj përgjegjësinë, Shqipëria drejt republikave ish-sovjetike

Dashamir Shehi ka deklaruar largimin nga drejtimi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe Koalicioni “Djathtas për Zhvillim”, duke pranuar përgjegjësinë politike për humbjen në zgjedhjet e 11 majit. Në një konferencë për shtyp, së bashku me kreun e “Djathtas 1912”, me të cilën LZHK garoi në aleancë, Shehi tha se gara elektorale u zhvillua e pabarabartë dhe ata u përballën me një “parti-shtet”.

“Jemi përplasur jo me PS, por me një parti-shtet, me shtetin shqiptar. Kontrollin mbi zgjedhjet e patën dy partitë e mëdha. Votat e diasporës, që u mendua se do dilte ndonjë ndryshim, sollën favor vetëm për pushtetin. Ka dhe shumë probleme të tjera. Ne do ia lëmë raportit të OSBE-ODIHR. I kemi çuar të gjitha ankimimet tona, por nuk duhet të biem në pesimizëm për humbjen. Duhet të jemi të motivuar të bëjmë detyrën tonë. Detyra jonë si parti opozitare, pasi të kemi bërë një analizë, është që të vazhdojmë betejën për të bërë tri ndryshime kryesore: ndryshime në Kushtetutë, rishikimin e reformës territoriale dhe reformën zgjedhore. Pa u bërë këto tri ndryshime, zgjedhjet në Shqipëri do të jenë përsëritje e këtyre zgjedhjeve.

Shqipëria po shkon drejt republikave ish-sovjetike ku një njeri e mban pushtetin 20 vjet, sajon edhe një opozitë që të bëjnë sikur zihen, por ndryshim, alternativë reale nuk ka. Zgjedhjet i kemi humbur, pranojmë defektet tona, unë pranoj përgjegjësinë dhe për këtë largohem”, u shpreh ai.

Alibeaj, po ashtu, teksa tha se do të mbajë përgjegjësi politike për humbjen, akuzoi Partinë Socialiste, që mori 83 mandate, se përdori krimin dhe paratë për të grumbulluar vota.

“Të gjitha defektet zgjedhore të listuara te raporti paraprak i OSBE-ODIHR, qëndrojnë. Administrata e angazhuar e gjitha, para pa fund të hedhura në fushatë, jo vetëm publike, por mbi të gjitha ato të pakontrolluara. Angazhimi i krimit ishte fare i qartë. Mjafton të shohësh votat që kanë marrë kandidatë anonimë apo gjysmanonimë. Krimi ka vendosur flamurin e vet elektoral. Nga mediet as rregullat e Kodit Zgjedhor nuk u respektuan. Akti i parë politik për të çuar para një alternativë është të marrësh përgjegjësinë politike”, deklaroi Alibeaj.

Koalicioni “Djathtas për Zhvillim” mori 5.530 vota në zgjedhjet e 11 majit, më së shumti në Qarkun Tiranë (1.862 vota) dhe Qarkun Fier (1.364 votave), por pa mundur të nxjerrë asnjë mandat deputeti.

“Kaq na kanë votuar. Unë kam pritur që ky qytet të paktën, Tirana, do të na votonte. S’kanë votuar. Disa janë kthyer te ‘shtëpia e vjetër’ e Berishës, disa kanë shkuar te ‘shtëpia e re’ e partive të reja, disidenca, si të themi. Kështu që është rrudhur. Na ka munguar ne diçka ndoshta, s’kemi pasur energjinë e duhur, jemi nisur vonë, me një vetëbesim të tepruar.

Këtu do të vijë puna mbas 10 vjetëve, kam frikë që ne ishim nëpunësit e fundit të politikës. Pjesa tjetër janë të gjithë biznesmenë të rinj të politikës. Mundet që të jemi ne jashtë kohës dhe të jenë ata brenda kohës. Me sa duket kjo është e vërteta, por ndoshta kjo është edhe rruga ku do të kalojë politika shqiptare, shteti shqiptar. Si duket nuk paska shumë rrugë. Do ta kalojmë. Nuk do të qajmë sipër qumështit të derdhur,” tha Shehi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›