E Diel, 1 Nëntor 2026

Libri shoqëron fëmijët gjatë pushimeve, autorët shqiptarë dhe klasikët botërorë ndër më të preferuarit

Pushimet verore nuk janë vetëm det, plazh dhe argëtim. Për shumë fëmijë, ato janë edhe një mundësi për t’iu kushtuar më shumë leximit. Libraritë mbeten një destinacion i preferuar për familjet, ndërsa zgjedhja e librit shpesh bëhet bashkë me prindërit.

Autorët shqiptarë janë ndër zgjedhjet e preferuara të lexuesve të vegjël, krahas klasikëve të letërsisë botërore.

Në librari kërkohen histori që i përshtaten moshës, por edhe libra që i çojnë fëmijët përtej kufijve të realitetit të përditshëm, përmes aventurës, fantazisë dhe personazheve të dashur.

Por një tjetër tendencë po bëhet gjithnjë e më e dukshme: leximi në gjuhë të huaj. Fëmijët zgjedhin libra në anglisht apo në gjuhë të tjera, duke e kthyer leximin njëkohësisht në argëtim dhe në një mënyrë për të pasuruar fjalorin dhe përmirësuar njohuritë gjuhësore.

Në ditët e pushimeve, libri duket se po gjen sërish vend në duart e fëmijëve. Dhe kur zgjedhja bëhet së bashku me prindërit, leximi shndërrohet jo vetëm në një aktivitet individual, por edhe në një përvojë familjare. Sepse një pushim i bukur mund të mbahet mend për shumë arsye, por një libër i mirë mund të mbetet me fëmijën shumë më gjatë se vera.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›