E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjike në Prizren, 80-vjeçarja gjendet e pajetë në banesë, dyshohet se e vrau bashkëshorti

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prizrenin në orët e para të mëngjesit, ku një grua 80-vjeçare është gjetur pa shenja jete në banesën e saj. Dyshimet e para të policisë janë se ajo është vrarë nga bashkëshorti i saj 81-vjeçar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, bëri të ditur se rreth orës 01:30, policia është njoftuar për një grua të pajetë në një banesë në Prizren.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e 80-vjeçares, me inicialet L.D.

Brenda banesës është gjetur edhe bashkëshorti i saj, B.D., rreth 81 vjeç, i cili është shoqëruar në polici.

Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes nga hetuesit dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi për veprën penale “Vrasje e rëndë”. Sipas policisë, lëndimet në trupin e viktimës dyshohet se janë shkaktuar me forcë fizike, pa përdorimin e armës apo të ndonjë mjeti tjetër, raporton KosovaPress.

Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim.

Bashkëshorti i saj është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.

Sipas të dhënave të policisë, çifti nuk kishte raste të mëparshme të raportuara për dhunë në familje dhe në momentin e ngjarjes ndodheshin vetëm në banesë.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›