Liceu artistik “Feim Ibrahimi”, këtë vit ka pasur më shumë interes nga të rinjtë

Është klasa e 10-të e degës së muzikës në liceun artistik “Feim Ibrahimi” në Gjirokastër. Këta të rinj duket se nuk janë bërë rastësisht pjesë e kësaj shkolle, pasi siç vetë na tregojnë, lidhjen me muzikën e kanë nisur më herët. Zgjodhën të studiojnë këtu për të zhvilluar pasionin e tyre duke zgjedhur specialitete të ndryshme.
“Kam zgjedhur fizarmonikën sepse e kam pëlqyer që i vogël. Më merrte babi nga pas nëpër aktivitete”, tha studenti.
“Studioj për kanto dhe kam ardhur me qëllim që të dal në jetë, e të bëhem një këngëtare e famshme”, tha studentja.
Në këtë rrugëtim që kanë nisur nuk do tu mungojë mbështetja e stafit pedagogjik.
Një prej mësuesve, Ylli Dudumi, shprehet i kënaqur me prurjet e reja duke vlerësuar dëshirën dhe talentin e tyre.
“Kanë ardhur pothuajse për të gjitha instrumentet dhe me performacat fillestare të nxënësve jemi të kënaqur. Janë nxënës me kapacitet, disa prej tyre e kanë pasur instrumentin edhe në 9-vjeçare. Janë dhe nga familje që studiojnë në këto instrumente dhe deri më tani jemi të kënaqur“, shprehet Dudumi.
Këtë vit mësimor liceu artistik “Feim Ibrahimi” priti për herë të parë 17 nxënës, ndërsa në të tri klasat frekuentohet nga 45 të rinj.
Gazetare: Yllka Ponde
/rtsh.al/