Liderët e 4 partive shqiptare propozojnë një shqiptar për president të Maqedonisë V.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kreu i Kuvendit Glauk Konjufca pritën në një takim në Prishtinë kryetarët e partive opozitare shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Bilall Kasami, Izet Mexhiti dhe Afrim Gashi.
Në takim mori pjesë edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, partia e të cilit është pjesë e qeverisë në Maqedoninë e Veriut.
Në njoftimin e publikuar nga zyra e Kurtit thuhet se katër udhëheqësit shprehën propozimin se presidenti që do të dalë nga zgjedhjet presidenciale që mbahen këtë pranverë në Maqedoninë e Veriut duhet të jetë nga radhët e shqiptarëve.
Sipas tyre një Kryetar i tillë Shteti mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të vendit.
Pak ditë më parë, Talat Xhaferi u zgjodh si kryeministri i qeverisë teknike që do ta përgatisë vendin për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato presidenciale.
Partitë shqiptare që janë në opozitë nuk morën pjesë në votimin për Xhaferin në Kuvend, për shkak të kundërshtive që kanë ndaj tij.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/