E Hënë, 2 Nëntor 2026

Liderët e NATO-s mblidhen të mërkurën, takim virtual për Ukrainën

Liderët e vendeve anëtare të NATO-s pritet të zhvillojnë një takim virtual të mërkurën, më 20 gusht, për të diskutuar situatën rreth Ukrainës dhe hapat e ardhshëm pas samitit të fundit në Uashington më 18 gusht.

Fokusi kryesor i takimit do të jetë shqyrtimi i detajeve të garancive të mundshme të sigurisë për Kievin, në një kohë kur Uashingtoni dhe kryeqytetet evropiane po punojnë për të përcaktuar se si do të jenë këto garanci.

Sipas Reuters, takimi vjen pas mbështetjes që Ukraina dhe partnerët e saj evropianë morën nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë takimit në Uashington ku u diskutua për ofrimin e garancive të sigurisë.

Megjithatë, ende mbeten shumë pyetje pa përgjigje lidhur me formën dhe zbatimin e këtyre garancive.

Komandanti Suprem i Aleancës për Evropën, Gjenerali Alexus Grynkewich, pritet të informojë shefat e mbrojtjes të NATO-s mbi rezultatet e takimit të javës së kaluar në Alaskë mes Presidentit Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Gjithashtu, raportohet se kreu i Shefave të Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, Gjenerali Dan Caine, do të marrë pjesë në takim përmes lidhjes online.

Takimi i së mërkurës shihet si një hap i rëndësishëm për të koordinuar përpjekjet diplomatike dhe ushtarake mes aleatëve të NATO-s, ndërsa situata në Ukrainë vazhdon të jetë një çështje kyçe për sigurinë evropiane.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›