E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Lideri që refuzoi pushtetin absolut“-Në Kohë Reale” – Homazh për Fatos Nanon. Kujtime nga ata që e njohën nga afër

Ndarja nga jeta e ish-kryeministrit Fatos Nano ka sjellë një valë reagimesh dhe reflektimesh nga figura të njohura të politikës dhe medias shqiptare.

Në emisionin “Në Kohë Reale”, të drejtuar nga Flori Gjini, bashkëpunëtorë të afërt dhe gazetarë që e kanë intervistuar ndanë kujtime personale dhe vlerësime për rolin e tij në historinë politike të vendit.

Nano, një nga figurat qendrore të tranzicionit postkomunist, u kujtua si një lider me frymë liberale, humanizëm të theksuar dhe aftësi për të krijuar kontraste brenda realitetit politik shqiptar.

Arben Malaj: “Kam mësuar nga ai jo thjesht për qeverisjen, por për kulturën politike”

Ish-ministri i Financave në qeverinë e Fatos Nanos, Arben Malaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë në studio, e cilësoi ndarjen nga jeta të Nanos si një humbje të madhe për familjen, miqtë dhe socialistët.

“Është një ditë e trishtueshme, për familjen, për miqtë, për socialistët. Për mua ka qenë fat që kam qenë pjesë e qeverisë vetëm me Fatos Nanon, për të mësuar nga ai jo thjesht për qeverisjen, por për kulturën politike.”

Malaj theksoi se Nano u detyrua të qeveriste në periudhat më kritike të tranzicionit, duke nisur nga viti 1991, dhe se ai nuk synoi kurrë pushtet absolut.

“Nano, në një mënyrë apo në një tjetër, ka qenë pak fatkeq në politikë sepse i është dashur të qeverisë në periudhat më kritike të tranzicionit. Ndryshe nga ajo që ndodhte, Nano me atë shpirt liberal, demokratik, ka ofruar gjithmonë dorëheqjen e tij pikërisht për të mos acaruar situatat sociale në vend.”

Ai solli një episod pas zgjedhjeve të vitit 1997, kur shumica parlamentare kërkonte hetime ndaj ish-mazhorancës dhe firmave piramidale. Nano, sipas Malajt, refuzoi të përdorte pushtetin për hakmarrje politike.

“Pas zgjedhjeve të 1997, kur mazhoranca socialiste hyri në qeveri, shumica e grupit parlamentar kërkonin hetimin e ish-mazhorancës dhe deri në burgosjen e përfaqësuesve politik. Nano, më kujtohet që na u drejtua me fjalët: ‘Unë jam mit dhe kërkoj të ç’mitizohem, dhe ju duhet të më ndihmoni për këtë. Por unë nuk krijoj një mit tjetër në politikën shqiptare duke futur në burg liderin e opozitës, duke e mbajtur gjithmonë Shqipërinë në një situatë të ashpër dhe të vështirë politike.’”

Malaj shtoi se Nano nuk mbante mllef, edhe kur i kujtohej periudha e burgut.

“Kishte deputet që i kujtonin Nanos vështirësitë dhe vitet e burgut të tij – dhe ai thoshte: ‘Ato i kam kaluar unë dhe nuk duhet ta bëjmë këtë gjë.’”

Aleksandër Çipa: “Nano ishte ai që bëri kohën e vet”

Gazetari Aleksandër Çipa, që pati kontaktin e parë me Nanon në vitin 1997 si reporter i BBC në Gjirokastër, e përshkroi si një politikan komunikues dhe me ndikim psikologjik në komunikim.

“Kontaktin e parë e kam pasur në 1997 kur isha reporter i BBC në Gjirokastër dhe punoja për gazetën Koha Jonë. Kisha pasur dhe një kontakt kur ai ishte në burgun e Bënçës. Fatos Nano ishte komunikativ, kërkonte dhe gjithmonë kishte një tendencë psikologjike që bashkëfolësin ta sugjestiononte dhe t’i shkaktonte, le të themi, një infernalitet në momentin e parë. Më pas, kur hynte në komunikim dhe niste bashkëbisedimi, ishte komod dhe ndryshonte qasjen.”

Çipa e cilësoi Nanon si një figurë që i përshtatet më shumë se kujtdo tjetër thënies “njeriu bën një kohë”.

“Nano ishte person i batutës. Fatos Nano është ai lloj politikani që i shkon më shumë se kujtdo tjetër thënia ‘Njeriu bën një kohë, por ai bëri kohën e vet.’ Ai kohën e vet e pati në tranzicion dhe si i tillë ai krijoi kontrastin brenda tranzicionit.”

Mentor Kikia: “Nano e shndërroi Partinë e Punës në një forcë moderne”

Gazetari Mentor Kikia e cilësoi Nanon si një nga ata politikanë që historia do ta vlerësojë me kalimin e kohës.

“Fatos Nano është një nga ata njerëz që historia dhe politika do të merret me të. Nuk janë shumë, por Nano është një prej tyre. Vendin do e përcaktojnë në të ardhmen kur historia do jetë më e ftohtë dhe të shkruhet.”

Kikia vlerësoi kontributin e Nanos në transformimin e Partisë së Punës në një forcë moderne europiane:

“Nano pa dyshim është ai politikani që, nëse do dua t’i njoh një meritë, është se mori të drejtojë Partinë e Punës që drejtoi për 47 vjet këtë vend dhe ta shndërronte në parti europiane. Ishte një parti e mbushur me komunistë që kur ndërroi emrin ishin gati të ‘shqyenin’ Dritëro Agollin. Falë liberalizimit të tij, falë zgjuarsisë së tij si njeri me intelekt të lartë, e shndërroi këtë parti në një forcë moderne.”

“Ajo që e dallonte Nanon ishte fryma liberale, jo vetëm në raportet njerëzore, por këtë frymë e futi edhe në politikë.”

Spartak Ngjela: “Nano ishte një humanist i madh që njihte Perëndimin dhe historinë”

Avokati dhe ish-deputeti Spartak Ngjela e cilësoi Nanon si një lider që erdhi në krye të qeverisë në një shtet mesjetar dhe kontribuoi në stabilizimin e vendit pas vitit 1997.

“Fatos Nano ishte një lider i madh, në të gjitha drejtimet, sepse erdhi kryeministër në një shtet mesjetar. U rrëzua në 1992 dhe erdhi pas 1997 dhe ristabilizoi Atdheun e tij.”

Ngjela theksoi se Nano ishte demokrat në kuptimin humanist dhe perëndimor të fjalës.

“Ai ishte demokrat jo në kuptimin politik, por një humanist i madh që njihte shumë mirë shtetin, historinë dhe Perëndimin. Ishte një person perëndimor dhe komunikonte në mënyrë brilante jo vetëm me gjuhët e huaja, por me gjithë perëndimorët.”

“Ishte nga të parët që nuk pati mllef, edhe pse bëri një burg të paligjshëm. Unë e kam takuar edhe në burg. Kjo tregon se ishte humanist.”

Nga intervistat politike te momentet personale,  Dudushi kujton Fatos Nanon

Alban Dudushi i ka bërë një skaner të plotë gjithë karrierës politike të liderit socialist, Fatos Nano, që nga viti 1991 deri në vitin 2005, kur ai u largua nga politika.

Sikurse ai u shpreh, Nano ka dhënë dorëheqjen në kulmin e pjekurisë së tij politike.

“Si gazetar terreni që mbuloja Partinë Socialiste, e kam intervistuar disa herë. Herën e parë e kam intervistuar kur u kthye nga SHBA dhe kishte një kuriozitet të jashtëzakonshëm për vizitën. Kishte një konkurrencë të madhe mes studiove televizive se kush do ta merrte në intervistë. E kam intervistuar edhe në fund të fushatës së vitit 2005, në kohën kur ishte në ditët e fundit të qeverisjes së tij.”

Dudushi ka ndarë edhe një ngjarje interesante nga raporti i tij personal me Nanon, që siç tha ai, ka lënë mbresa të veçanta.

“Një ditë para intervistës bëra ditëlindjen e vajzës sime, e cila në fakt u kthye në një dasmë të vërtetë dhe kisha ftuar të gjithë miqtë e mi. Në një moment, në ambientin ku ishim mbledhur, më afrohet i zoti i lokalit dhe më thotë: ‘Do vish se të kërkon dikush.’ Shkoj dhe shoh z. Nano me disa miq të përbashkët. Me atë shpengimin që kishte në jetën e përditshme, më drejtohet me fjalët: ‘He mo, po ti më shumë ke bredhur pas meje nëpër fushatë sesa pas gruas tate, dhe do të martohesh pa më ftuar në dasmë?’”

“Ndërsa të nesërmen, të dy ishin në emision për mbylljen e fushatës.- e mbyll Dudushi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›