Ndarja nga jeta e Nanos, Berisha: Ka meritën e reformimit të PS-së dhe pranimit të rotacionit të pushtetit

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), Sali Berisha, ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit Fatos Nano.
Berisha e cilësoi Nanon si një “personalitet kryesor të të majtës shqiptare gjatë tranzicionit”, duke theksuar disa arritje specifike të tij në krye të Partisë Socialiste.
“Fatos Nano ka meritën e reformimit të Partisë Socialiste, anëtarësimin e saj në forume të majta ndërkombëtare si dhe pranimin nga ai vetë të rotacionit të pushtetit,” shkruan Berisha.
Në mesazhin e tij ngushëllues, lideri i PD-së i shprehu ngushëllimet e sinqerta familjes, miqve, të afërmve të ish-kryeministrit dhe Partisë Socialiste.
“Fatos Nano mbyll sytë përgjithmonë. Me këtë rast shpreh ngushëllime familjes, miqve, të afërmëve të tij dhe socialistëve. Amen!”, përmbyll postimin e tij Berisha.
/rtsh.al/