Lidhja e re strategjike Skrapar–Korçë, Rama: Nisi asfaltimi i rrugës Potom–Backë–Qafa e Martës

Ka nisur zyrtarisht procesi i asfaltimit në aksin rrugor Potom – Backë – Qafa e Martës, një investim infrastrukturor që synon të lidhë drejtpërdrejt qarkun e Skraparit me atë të Korçës përmes një rrjeti modern rrugor.
Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku i shoqëroi detajet e projektit me pamje nga punimet që po kryhen në terren.
Ndikimi ekonomik dhe zhvillimi i turizmit
Kreu i qeverisë nënvizoi se përfundimi i këtij aksi rrugor nuk do të shërbejë vetëm për lehtësimin e qarkullimit të automjeteve, por do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e zonave rrethuese dhe në sektorin e bujqësisë.
“Ky investim do të lehtësojë lëvizjen, do të ulë kostot e transportit, do të forcojë ekonominë lokale, do të krijojë më shumë mundësi për fermerët dhe sipërmarrësit, si dhe do të hapë një perspektivë të re për zhvillimin e turizmit në një nga zonat me potencialin më të madh natyror të vendit.” shkruan Rama.
Projekti përshkon një nga zonat me reliev malor dhe me resurse të shumta natyrore, duke krijuar një korridor të ri lëvizjeje që shkurton distancat mes juglindjes dhe zonave të Shqipërisë qendrore.
/rtsh.al/