Lidhje me krimin dhe shpërdorim detyre, arrestohet Prokurori special i Malit të Zi

Është arrestuar këtë të premte (9 dhjetor) Prokurori special i Malit të Zi, Sasha Çagjenoviç. Arrestimi i tij është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit (SDT), pasi akuzohet për krijim të organizatës kriminale dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Mediat malazeze bëjnë me dije se prokurori special është dërguar në ndërtesën e SDT-së për t’u marrë në pyetje. Zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit Vukas Radonjiç, ka bërë me dije se Çagjenoviç në periudhën nga mesi i vitit 2020 deri në vitin 2022 ka kryer veprën penale të krijimit të organizatës kriminale dhe disa vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
“Prokuroria Speciale e Shtetit do ta informojë publikun me kohë për veprimet e saj të mëtutjeshme dhe gjendjen e procedurës dhe posaçërisht theksoj se autoritetet shtetërore, mediat, shoqatat e qytetarëve, fytyrat publike dhe personat e tjerë janë të obliguar t’i përmbahen prezumimit të pafajësia dhe në rrjedhën e procedurës nuk cenojnë rregullat tjera të procedurës dhe të drejtat e personave kundër të cilëve po zhvillohet procedura”, është shprehur Radonjiç.
/rtsh.al/