Ligj të përgjimeve pa “Gestapo” qeveritare

Projektligji për përgjimet duhet të vendos balancën e duhur ndërmjet privacisë dhe sigurisë publike. Kjo ka qenë njëra prej çështjeve që janë debatuar në debatin në emisionin Rubikon. Përfaqësuesit e partive politike kanë debatuar për ligjin që po përgatitet, ndërsa në shumë raste ka pasur edhe akuza për sponsorizimin e qëllimeve të caktuara politike.
Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Florin Krasniqi ka kërkuar të ketë një kompromis të plotë për Ligjin e përgjimeve, për të mos pasur zhvillime që e cenojnë edhe sigurinë e vendit. Krasniqi ka ironizuar faktin se në rastin e këtij ligji, Qeveria nuk ka dëgjuar rekomandimet e sponsorizuesve ndërkombëtarë, të cilët sipas tij, kanë rekomanduar që të Qendra Administrative e përgjimeve të jetë e ndarë në pjesën për përgjigjet inteligjente dhe për përgjimet penale.
E ndërkohë, nënkryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Fadil Demaku i është përgjigjur Krasniqit duke thënë se është shumë e çuditshme kur dëgjon një përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje të bëjë thirrje për të mbështetur atë që e kërkojnë ndërkombëtarët.
“Duhet pasur parasysh Planin e Ahtisarit, misionin e EULEX-it, dhe KFOR-it. Duket sikur dikush nuk po do që të ketë një qendër që i rrumbullakon punët për përgjimet”, ka thënë Demaku, duke theksuar qëndrimin e PDK-së që projektligji aktual për përgjimet të shkojë në Kuvend në gjendjen aktuale.
Demaku ka shpjeguar se Qendra administrative nuk ka kontroll mbi materialin përgjues, por vetëm është e njoftuar për emrin e personit që përgjohet. Por, anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Burim Ramadani e ka pyetur në mënyrë retorike Demakun përse atij i duket punë e vogël që dihet emri dhe numri i telefonit i personit që përgjohet.
“Kjo nuk është punë e vogël, por i ngjan një institucioni si Gestapo”, ka vlerësuar Ramadani.
Por, Demaku ka reaguar duke thënë se nuk ka të bëjë me krijimin e një institucioni që i cenon të drejtat e qytetarëve.
“Çka ka të bëjë kjo me Gestapo. Nëse dihet numri, nuk do të kurrgjë. Agjencioni nuk është as i Thaçit as i Ramushit”, ka thënë Demaku.
Përfaqësuesi i AKR-së, Shefki Abdullahu, ka thënë se qendrat operative të të gjitha institucioneve, nuk rrezikohen, sepse jemi shtet parlamentar dhe kontrollohen.
“Por, duhet pasur se për shembull për rreziqet që vijnë nga jashtë, në ndonjë rast nuk ka kohë që të merret vendimi për përgjim nga një organ gjyqësor”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Haki Demolli, deputet nga radhët e LDK-së, ka ngritur pikëpyetjen përse Qeveria e përshpejtoi Ligjin për përgjimet menjëherë pas daljes së “aferës Pronto”.
“Ligji është i mbushur me çështjeve teknike, ndërsa i mungojnë shumë dispozita të procedurës së përgjimit. Jemi të ndahen informatat inteligjente të ndahen nga ato që kanë të bëjnë me krime ordinere. Por, Ligji është shumë i rëndësishëm, sepse ka të bëjë me sigurinë e qytetarëve të Kosovës, e ndërkohë ka mundësi që të cenohen të drejtat e njeriut”, ka thënë Demolli.
E ndërkohë, i ashtuquajturi “skandali pronto” ka qenë pjesë shumë e diskutuar në këtë debat. Florin Krasniqi ka përmendur faktin se procedura e përgjimeve të jetë sa më e qartë, duke përmendur edhe skandalin e përgjimit i njohur si ‘Pronto”.
“Merreni me mend sikur përgjimet që janë bërë na rastin ‘Pronto’ t’i kishe bërë AKI-ja. Të nesërmen drejtori i AKI-së do të shkarkohej”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë, deputeti Fadil Demaku gjatë debatit ka theksuar faktin se dalja në publik e përgjimeve ishte veprim jo ligjor, ndërsa ka thënë se duhet me ligj të sigurohet privatësia e qytetarëve. Por, deputetët e opozitës kanë theksuar se përgjimi i ‘skandalit pronto’ ishte urdhëruar nga organi gjyqësor. /Indeksonline/