E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetura në rastin “Monstra” i ka takuar policisë “Alfa”

Dime Veskov është dëshmitari të cilin sot e kishin propozuar avokatët e të akuzuarve në rastin “Monstra”. Ai aktualisht është i burgosur dhe gjendet në burgun e Idrizovës, por ka pohuar se e di e kujt është vetura Opel Omega, e cila ishte gjetur në afërsi të kufirit me Kosovën dhe për të cilën policia ka pohuar se e kanë shfrytëzuar të akuzuarit gjatë likuidimit dhe gjatë ikjes nga shteti.

Avokatët pohojnë se detajet për këtë veturë i di i burgosuri. Jo zyrtarisht, mësohet se vetura është e njësisë policore “Alfa”, kurse i burgosuri pohon se atë veturë e ka parë në televizion dhe iu ka kujtuar se me atë veturë ka qenë i arrestuar ai dhe i bartur nëpër stacionet policore, shkruan Zhurnali.

Nuk dihet nëse gjykata do ta pranojë Veskovin si dëshmitar të mbrojtjes, por sipas rrethanave ai ka mjaft të tregojë për këtë rast.

Përveç tij, pala mbrojtëse ka paraqitur si dëshmitar edhe kryetarin e Komunës së Ilindenit, Zhika Stojanovski, me të cilin njëri prej të akuzuarve ka qenë në takim ditën dhe momentin kur ka ndodhur vrasja.

Gjithashtu, është propozuar që dëshmitar të jetë edhe ministri i Transportit, Mile Janakieski, i cili gjithashtu ka qenë në takim me disa prej të akuzuarve ditën e njëjtë kur ka ndodhur vrasja.

Gjatë ditës së sotme në gjykatë kanë dhënë dëshmi familjarë dhe miq të Rami Sejdiut, të cilët kanë dëshmuar se i akuzuari ditën e vrasjes ka qenë në punëtorinë e tij në Haraçinë./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›