E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligjet kalojnë pa hedhur nëvotim dekretet e Nishanit

TIRANE- Komisioni i Ligjeve kalon pa i hedhur në votim dy dekretet e presidentit Nishani për emërimin e Admir Thanzës dhe Tom Ndrecës në Gjykatën e Lartë.

Mbledhja fillimisht ka nisur me prezantimin e dy kandidatëve për Gjykatë të Lartë, të cilët do të zëvendësojnë në këtë post Besnik Imerajn dhe Gani Dizdarin të emëruar në Gjykatë Kushtetuese
Në përfundim të prezantimit, në një moment nuk ka pasur as pyetje as diskutim, kjo ka bërë që Rusmaili, kryetari i Komisionit të Ligjeve ta marrë të mirëqënë aprovimin dhe të nisë diskutimin e pikës së dytë në rend dite. Pikërisht në këtë moment ka ndërhyrë edhe deputeti i PS-së Majko.

“Përse kalove në pikën e dytë të votimit. E more të mirëqënë kur se kaluam në votim. “- mësohet të ketë thënë Majko.
Në përgjigje Rusmaili tha se meqë opozita nuk pati diskutime, e mora apriori se ishit dakord. Në këtë moment ka pasur replika mes Majkos e Rusmailit. Më pas është hedhur për votim nëse do riktheheshin për rishqyrtim dekretet, por deputetët e mazhorancës kanë votuar kundër, duke bërë që automatikisht këto dekrete të kalojnë.

Pritet votimi i tyre në seancën e ardhshme parlamentare, dhe PS pritet të japë votën kundër.
Dy emrat e propozuar për vendet vakante në Gjykatën e lartë janë Admir Thanza, i cili ka qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Tom Ndreca, që vjen nga Gjykata e Apelit dhe njihet si personi që ‘i dha’ fitoren Lulzim Bashës në Bashkinë e Tiranës në zgjdhjet e fundit lokale.

Admir Thanza ka qenë anëtar i gjykatës Kushtetuese, ndërsa Tom Ndreca është gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Tiranës, detyrë që e ushtron prej 16 vitesh.

Redaksi Online
(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›