E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, Rizzo: Është në përputhje me parimet e BE-së

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Në konferencën “Transformimi i Sektorit Publik: Themeloret e Reformës së Administratës Publike në Shqipëri”, që u mbajt sot në Tiranë, në bashkëpunim me OECD/SIGMA, ishin të pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, drejtuesi i Programit SIGMA të OECD-së, Gregor Virant, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.

Në konferencë, ku u prezantuan gjetjet e raportit të monitorimit OECD/SIGMA, përfaqësuesi i Delegacionit Evropian në Shqipëri, André Rizzo në fjalën e tij e vuri theksin te rëndësia e reformës në Administratën Publike, si një parakusht për Shqipërinë në rrugën e procesit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Është parakusht që Shqipëria, si vend aspirues për në BE të ketë një administratë transparente, efikase, si shtylla kurrizore që garanton demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e minoriteteve. Fakti që reforma e Administratës Publike është pjesë e grupit themelor të kapitujve, tregon se sa e rëndësishme është për anëtarësimin në Bashkimin Evropian kjo pjesë. Ky grup-kapitull i ka kërkuar Shqipërisë që të miratojë një udhërrëfyes, zbatimi i të cilit do të jetë thelbësor, teksa ecet përpara në negociata,” tha Rizzo.

Sipas Rizzo-s, udhërrëfyesi i reformës së Administratës Publike përfshin ekipe dhe procese që do të diskutohen gjerësisht. “Angazhimi i Shqipërisë dhe udhërrëfyesi i reformës së Administratës Publike për modernizimin e menaxhimit të burimeve njerëzore, procedurat e rekrutimit bazuar në meritë për nivelin e lartë drejtues, të gjitha këto janë thelbësore për të ruajtur ligjshmërinë në punësimin në sektorin publik dhe besimin në këtë sektor”.

“Udhërrëfyesi kërkon edhe ndërhyrje te digjitalizimi, sepse teknologjia ofron mundësi të reja, ofrimin e shërbimeve, cilësinë, përvojën e përdoruesve dhe aksesueshmërisë online. Për këtë të fundit është e rëndësishme për të garantuar që askush, sidomos ata që i përkasin grupeve vulnerabël nuk mbeten pas dore,” theksoi ai.

Përfaqësuesi i Delegacionit Evropian në Shqipëri, u ndal edhe tek aksesueshmëria në të dhënat personale, duke përdorur edhe Inteligjencën Artificiale, që ofron mundësi të jashtëzakonshme, por edhe sfida për mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë kibernetike.

“Me rëndësi është që Shqipëria të vazhdojë të zhvillojë legjislacionin në këtë fushë, ndërsa kemi pritur me kënaqësi ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale që është me parimet e BE-së.

Raporti i OECD/Sigma si gjithnjë jep një shikim tërësor të reformës së Administratës Publike në Shqipëri dhe punën e vlefshme që ka bërë në këtë fushë. BE do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në këto reforma dhe këtu përfshihet edhe partneriteti me OECD/Sigma, si dhe mbështetjen teknike të programeve IPA dhe programin për qeverisje të mirë,” përfundoi Rizzo.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›