E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji, deputetët në mbledhjet e qeverisë

Deputetët e Kuvendit të ri do të kenë mundësi të marrin pjesë në mbledhjet e qeverisë dhe të të gjitha institucioneve. Një ndryshim në "statusin e deputetit" u jep të drejtën të zgjedhurve me listë nga populli që të jenë të pranishëm në mbledhjet e Këshillit të Ministrave kur aty diskutohen çështje që prekin qarqet ku ata janë zgjedhur. Madje, me statusin e ri, deputetët kanë të drejtë të jenë në çdo institucion qendror dhe vendor kur shqyrtohen probleme të ngritura prej tij. "Deputeti ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, në ministri ose në institucione të tjera qendrore dhe vendore, kur në to shqyrtohen probleme të ngritura prej tij dhe që lidhen me qarkun ku është zgjedhur", thuhet në nenin 9 të statusit të deputetit, i cili u votua në Kuvend më 30 maj të këtij viti, pra në seancën e fundit parlamentare.

NDRYSHIMI

Më datë 4 qershor, presidenti Nishani dekretoi ndryshimet në statusin e deputetit, të cilat u realizuan me propozim të një pjese të deputetëve aktualë. Me këto ndryshime, praktikisht ka një rritje të kompetencave të të zgjedhurve në parlament.

"Organet e qeverisjes vendore dhe prefekturat, në fillim të çdo muaji njoftojnë deputetët e qarkut ku ata janë zgjedhur për kalendarin e mbledhjeve, duke përfshirë ndryshimet e mundshme që mund t'i bëhen atij", thuhet në vendim. Gjithashtu, ka edhe detyrime për deputetët. "Deputeti takohet periodikisht me zgjedhësit ose kur e kërkojnë ata. Deputeti i përfaqëson ata duke iu marrë mendime apo duke iu dhënë shpjegime për projektligje, amendamente, vendime, rezoluta apo deklarata që shqyrtohen dhe miratohen në Kuvend", lexohet në nenin 2 të vendimit.

Po kështu, deputeti ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij, nga ministrat ose nga drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore, si dhe nga drejtuesit e çdo institucioni tjetër në administratën publike ose të qeverisjes vendore. "Drejtuesit e institucioneve të përmendura në pikën 1 të këtij neni janë të detyruar t'i përgjigjen deputetit brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. Në rast shkeljeje të pikës 2 të këtij neni, njoftohet kryeministri për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse. Në rastet e enteve apo institucioneve të tjera qendrore, njoftohet organi prej të cilit ato janë zgjedhur", thuhet në ndryshimet që i janë bërë statusit të deputetit.
ZYRE ME PARATE E SHTETIT
Çdo deputet mund të hapë një zyrë në rrethin ku ai është zgjedhur dhe kjo do të paguhet me paratë e shtetit. "Kuvendi, në bashkëpunim me organet e pushtetit vendor, hap në çdo rreth zyra të veçanta për deputetët e maxhorancës dhe opozitës, për çdo rast që ato kanë përfaqësim. Në rrethet ku ka përfaqësim vetëm të njërës palë, hapet vetëm një zyrë", thuhet në vendim.

STATUSI I RI I DEPUTETIT

- Deputeti ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, në ministri ose në institucione të tjera qendrore dhe vendore, kur në to shqyrtohen probleme të ngritura prej tij dhe që lidhen me qarkun ku është zgjedhur.

- Kuvendi, në bashkëpunim me organet e pushtetit vendor, hap në çdo rreth zyra të veçanta për deputetët e maxhorancës dhe opozitës, për çdo rast që ato kanë përfaqësim. Në rrethet ku ka përfaqësim vetëm të njërës palë, hapet vetëm një zyrë.

- Kryetari i Kuvendit, me propozimin e kryetarëve të grupeve parlamentare, emëron në zyrat përkatëse një specialist, si rregull me arsim të lartë juridik. Kuvendi pajis zyrat me mjetet e nevojshme të punës. Fondet për nevojat e mësipërme përballohen nga buxheti i Kuvendit. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›