E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i Punës ndikon edhe në natalitet

Deputetja e AKR-së, Rita Hajzeraj, ka thënë se Projektligji i Punës nuk po dërgohet në Parlamentin e Kosovës, sepse ky është interes i disa bizneseve private, por edhe i institucioneve publike.

Ajo theksuar se mungesa e këtij ligji shkel shumë të drejta të punëtorëve, përfshirë të drejtën e lehonave për pushim. Madje, sipas saj, mungesa e ligjit po ndikon në rënien e natalitetit.

Deputetja dhe nënkryetarja e Komisionit parlamentar për shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale, Hajzeraj, tha sot në një konferencë me gazetarë se ky ligj bazik, i cili rregullon të drejtat e punëmarrësit dhe punëdhënësit, që nga viti 2004 nuk ka arritur të miratohet në Kuvendin e Kosovës, duke i lënë punëtorët pa mbrojtje institucionale.

Ajo theksoi se ka pasur premtime edhe nga MPMS-ja, që ky ligj do të sillet në fillim të këtij muajit në Parlamentin e Kosovës, po një gjë e tillë nuk po ndodh.

“Aleanca Kosova e Re është tejet e shqetësuar me këtë gjendje, dhe kërkon nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga Ministria e Punës dhe Mirëqenës Sociale, që sa më shpejt këtë ligj ta sjellë në Parlamentin e Kosovës... Është absurde që institucionet e vendit tonë ende nuk kanë arritur ta miratojnë Ligjin e Punës, i cili duhet të rregullojë edhe një herë marrëdhëniet e punëdhënësit dhe punëmarrësit... Nga mosmiratimi i këtij ligji, dëmtohet edhe buxheti në mosmbledhjen e tatimit, zvogëlimi i natalitetit, e shumë e shumë pasoja të tjera”, ka thënë Hajzeraj, transmeton KosovaPress.

Të drejtat e punëtorëve në Kosovës, sipas saj, shkelen në mënyrë drastike, posaçërisht në sektorin privat, ku përafërsisht janë të punësuar rreth 250 mijë punëtorë. “Në atë sektor, punëtori nuk ka kontratë pune, nuk ka orar të punës, nuk ka mbrojtje në punë, nuk ka mbrojtje shëndetësore, e mos të them për stërzgjatje të orarit të punës, mospagesa jashtë orarit, puna e natës, e shumë e shumë probleme që ka në këtë sektor”, theksoi ajo.

Sipas saj, Projektligji i Punës nuk po dërgohet Parlamentin e Kosovës, sepse kështu iu konvenon grupeve të caktuara. “Ky mosdërgim lidhet me interesa të bizneseve private, por edhe institucioneve publike”.

Ligji i Punës, që nga viti 2004 është kthyer gjashtë herë nga Kuvendi për rihartim dhe plotësimin e disa amendamenteve, për shkak siç është thënë, implikimeve buxhetore.

Ndërsa, nga korriku i vitit 2008, projektligji është hequr nga agjenda e Kuvendit me të njëjtin arsyetim.

Hajzeraj nuk beson se zvarritja e miratimit të ligjit ndodh për shkak të mungesës së mjeteve financiare. “Arsyeja është mungesa e vullnetit politik që të miratohet ky ligj dhe neglizhenca e vazhdueshme e institucioneve tona”.

Ajo ka theksuar se duhet të gjenden forma për implementimin e ligjit. “Më mirë është të miratohet si ligj dhe zbatimi i tij të jetë i pjesshëm, sesa të mos kemi fare ligj e të punojmë me një rregullore të UNMIK-ut”. Hajzeraj konsideron se në këtë mënyrë, ligji do të implementohej në tërësi brenda pesë viteve të ardhshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›