E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i ri, DNP shndërrohet në "Bachelor"

Universitetet / Projektligji propozon heqjen e masterit të nivelit të dytë. Do të zëvendësohet me masterin shkencor


Kryeministri Berisha: Masteri, një shans i dytë për të studiuar në degën e dëshiruar


"Arsimi i lartë do të pësojë ndryshime", të paktën kështu bën të ditur kryeministri i vendit Sali Berisha. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë kryeministri është ndalur edhe në projektligjin ri për arsimin e lartë, i cili përfshin një sërë ndryshimesh, ku më i rëndësishmi mbetet ekuivalentimi i diplomave të cikleve të studimit.


Sipas propozimeve të projektligjit, arsimi i lartë në Shqipëri do të ndahet në tri cikle. Në përfundim të ciklit të parë, që mund të zgjasë tri deri në katër vite, në varësi të degës, nuk do të lëshohet më diplomë e nivelit të parë, por diplomë bachelor.


Po kështu në përfundim të ciklit të dytë nuk do të ketë më as diplomë të nivelit të dytë dhe as master të nivelit të dyte, por do të ketë master shkencor. Ndërsa cikli i tretë mbetet doktoratura ose specializimet e thelluara.


Sipas kryeministrit një nga avantazhet më të mëdha të këtij ligj do të jetë ndryshimi në sistemin e masterit, pasi studentët do të kenë mundësi të ndjekin masterin në një lëndë të përafërt me atë ku kanë kryer studimet, mjafton që këto dy degë të kenë një përputhje lëndësh deri në 60%.


"Tek masteri, le të shohim mundësinë e dhënies së një shansi të dytë, mbi bazën e meritës, pra duke mos e cenuar aspak meritën. Kështu mendoj se një bachelor, për ekonomi, mund të drejtohet për një master në drejtësi, duke plotësuar ato kredite që i nevojiten", - u shpreh Berisha.


Ky sistem i ri, në fakt, duket se do të jetë një korrigjim i vogël i gabimeve të ciklit të parë të studimeve.


Dihet që me aplikimin e "Maturës shtetërore" maturanti mund të ndjekë studimet në një degë në sajë të meritës dhe të preferencës së tij. Por, për gjatë këtyre viteve të zhvillimit të "maturës shtetërore" pjesa më e madhe e nxënësve nuk kanë fituar të drejtën e studimit në atë degë që kanë dëshiruar, por të kufizuar nga sistemi meritë/preference kanë ndjekur një program tjetër studimi. Dhe, sipas kryeministrit, ligji i ri synon që të ndreqë këtë gabim, pikërisht pas përfundimit të ciklit të parë të studimeve.


"Është e rëndësishme të respektojmë edhe pasionin e njeriut, ëndrrën e tij. Në rast se herën e parë, studenti nuk ia doli dot, që me sistemin e pikëve të ndiqte degën që dëshironte dhe në rast se ai nuk e gjen veten në atë degë që përfundon, le t'i krijojmë mundësi që të bëjë një përzgjedhje në këtë sistem, i cili është një sistem botëror dhe është sistemi më i përshtatur për tregun" u shpreh kryeministri, duke theksuar se kjo është shumë e rëndësishme, për t'iu përshtatur sa më mirë tregut, si dhe për t'i dhënë një mundësi të dytë studentëve, për ta gjetur veten aty ku dëshirojnë.


Duke qenë se qëllimi kryesor i ligjit të ri "Për arsimin e lartë" është njëjësimi i titujve të diplomave, kryeministri propozoi që termi master të vazhdojë të njihet si i tillë edhe në gjuhën shqipe, ndërsa u kërkoi gjuhëtarëve që për termin bachelor, të gjejnë një fjalë që i përgjigjet gjuhës sonë.


Një tjetër pikë, në të cilën u ndal kryeministri, ishte nevoja e përkthimit në gjuhën shqipe të literaturës së huaj, shkencore, bashkëkohore, e cila do të shërbejë si tekst për universitetet e vendit. Në këtë kontekst, Berisha i kërkoi Ministrisë së Arsimit parashikimin e buxhetit të vçantë për përkthimin dhe një bashkëpunim më të ngushtë me universitetet e Maqedonisë dhe të Kosovës, për blerjen e teksteve të përkthyera.


"Çështja e teksteve është një çështje shumë problematike. Nuk më vjen mirë, që mund të gjenden ende, edhe tekstet e mia në fakultetin e Mjekësisë, shpresoj t'i kenë ripërtërirë.


Të heqim dorë nga inkurajimi i shkrimit të teksteve, le të përkthejmë tekste. Nuk them me këtë se nuk duhet të shkruhen tekste në universitetet tona, por ne duhet të inkurajojmë përkthimin e teksteve më të mira botërore", - përfundoi ai.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›