Gjirokastër, "mbytet" Rruga e Vezirit

INVESTIMET/ Prej 20 vjetësh, në rrugën e përdorur dikur nga pashai për të shkuar në kala, nuk është bërë asnjë investim
Banorët e rrugës thonë se nëse u ndodh ndonjë fatkeqësi, nuk kanë asnjë mundësi për të lëvizur
GJIROKASTËR- Mban një emër të madh, por vetëm një tabelë e vjetër në një mur mund të të orientojë rreth faktit se aty ndodhet një rrugë. Rruga e Vezirit është tashmë një oaz gjelbërimi, e mbuluar plotësisht nga ferrat dhe bimësia.
Së bashku me aksin "Thanas Ziko" prej shumë vitesh përbëjnë një prej shqetësimeve kryesore të komunitetit të lagjes "Pllakë" në qytetin e Gjirokastrës.
Rruga e Vezirit
Dikur një aks mjaft i rëndësishëm dhe i frekuentuar. Tashmë një monopat ku zor mund të kalosh, për shkak të bimësisë dhe ferrave që mbizotërojnë kudo e që e kanë bllokuar thuajse tërësisht. Rruga e Pashait është një ndër rrugët më të vjetra të qytetit të Gjirokastrës, që lidhte zonën e njohur si Meçite me kalanë dhe Pazarin e Vjetër.
"Emërtimet e rrugëve në fakt i përkasin një periudhe më të vonshme. Kanë qenë dy rrugë të tjera para ndërtimit të kësaj që tani mban emrin Rruga e Vezirit, që lidhnin kalanë me Meçiten e në krah të Përroit të Nanxës.
Edhe aktualisht rruga lidhëse deri te "Porta e Manalatit" dhe Pazar ekziston", shprehet Vladimir Qirjaqi, arkeolog. Banorët e njohin rëndësinë dhe historinë e rrugës, në krah të së cilës janë ndërtuar shtëpitë e tyre në këtë pjesë të lagjes "Pllakë". Ajo që nuk kuptojnë, është fakti përse askush nuk kujtohet për ta rikonstruktuar.
Kurabie Zyberi, një nga banoret e vjetra të lagjes, pohon se prej më shumë se 20 vitesh askush nuk ka ndërhyrë në këtë rrugë. "Kjo ka qenë rruga e Pasha Vezirit, siç e kemi dëgjuar nga pleqtë e parë. Këtu kalonte veziri kur shkonte në kala. Madje, kur ndërtohej kalaja, në këtë rrugë kalonin edhe buallicat e ngarkuara me gurë. Kur kam ardhur nuse para 58 vjetësh këtu, kjo rrugë ka qenë e gjerë dhe e shtruar me kalldrëm.
Tani nuk kalojnë dot as njerëzit, as kafshët dhe as hiçgjë. Në shumë raste vijnë deri aty poshtë turistët, që kërkojnë të ngjiten këtej për në kala, po i kthejnë se mbeten në mes të ferrave.
Nuk e dimë si do t'i vejë halli. Edhe në bashki kemi vajtur dhe jemi ankuar, po pse nuk e rregullojnë nuk e dimë. Nga kjo rrugë jemi bllokuar fare, kalojmë nga ana tjetër që është shumë herë më gjatë.
35 shkallë për të lëvizur i kam bërë me pensionin tim. Jemi 6-7 plaka këtu, nuk vemë të pimë një kafe te njëra-tjetra; të kemi një hall a të kemi një vdekje ne jemi të bllokuar. Edhe kur të vdesim, me helikopter do na nxjerrin", shprehet më tej Kurabie Zyberi.
Rruga "Thanas Ziko"
Ndodhet shumë pranë Rrugës së Vezirit dhe si ajo vuan mungesën e infrastrukturës. Vende-vende banorët me nismën e tyre kanë hedhur beton, ndërsa në pjesën më të madhe rruga përbëhet nga gurë të madhësive të ndryshme.
Ujërat e bardha dhe ato të zeza të dala nga gropat septike të shtëpive përzihen mbi rrugë dhe rrjedhin në të gjithë gjatësinë e saj, ndërsa përhapet një erë e rëndë. Edhe banorët e kësaj pjese vazhdimisht kanë bërë ankesa dhe kërkesa, po asgjë nuk ka ndryshuar.
"Qelbur e zokopisur nga çdo anë. Dalim pastrojmë, bëjmë ndonjë rregullim në rrugë, po nuk ia dalim dot. Këtu mezi shkohet me këmbë, dhe jo më me makinë. Pale për ndriçim. Dritat një natë ndizen e 10 të tjera jo. Kemi kërkuar shumë herë ta rregullojnë, asgjë. Një herë erdhën ca inxhinierë, bënë matje dhe vetëm kaq, harruan pastaj.
Gjithë rrugët e qytetit janë rregulluar, ne kemi mbetur si në mesjetë", shprehet Melo Xarba, banore e zonës. Infrastruktura rrugore në shumë pjesë të Gjirokastrës paraqet një problematikë mjaft të mprehtë për komunitetin për këtë qytet të mbrojtur nga UNESKO.