Ligji për Avokatin e Popullit, komisioni “Xhafaj” miraton propozimin e deputetes Iris Luarasi: Afate strikte për raportet në Kuvend

Komisioni i Posaçëm për Nismat Qytetare dhe Bashkëpunimin Institucional i ka dhënë dritën jeshile ndryshimeve në ligjin për Avokatin e Popullit. Në mbledhjen e drejtuar nga kryetari Fatmir Xhafaj, komisioni shqyrtoi dhe miratoi në tërësi projektligjin e propozuar nga deputetja Iris Luarasi.
Rregulla të reja për raportet
Thelbi i ndryshimeve ligjore lidhet me rritjen e llogaridhënies dhe transparencës së këtij institucioni kushtetues. Gjatë prezantimit të nismës, deputetja Luarasi argumentoi se ndërhyrja ishte e nevojshme për të vendosur rregulla strikte mbi procesin e publikimit të raporteve vjetore dhe atyre të veçanta.
Risìa kryesore e këtyre ndryshimeve është përcaktimi i afateve konkrete për shqyrtimin e këtyre raporteve nga Kuvendi i Shqipërisë, duke shmangur zvarritjet e mundshme dhe duke i dhënë peshën e duhur gjetjeve të Avokatit të Popullit.
Deputeti Erjo Mile, në cilësinë e relatorit, vlerësoi se nisma i shërben forcimit të transparencës dhe nuk sjell efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit. Pas diskutimeve dhe disa rregullimeve të teknikës legjislative, komisioni e miratoi projektligjin nen për nen dhe në tërësi.
/rtsh.al/