Zogaj: Evropa po na toleron për gjeopolitikë, opozita të mbështesë këtë shans. BE na do siç jemi

Në vijim të analizës së tij për përplasjen mes PD-së dhe Brukselit, analisti Preç Zogaj ka hedhur dritë mbi mënyrën se si lexohen raportet ndërkombëtare në zyrat e larta.
Gjatë emisionit “Trialog” në RTSH, Zogaj theksoi se ekziston një sinkronizim i plotë mes anës teknike dhe asaj politike, por “çelësi” i momentit është konteksti aktual i Evropës.
Sipas Zogajt, faktori ndërkombëtar është i vetëdijshëm për problemet teknike, por ka zgjedhur një qasje strategjike.
“Ata janë mjeshtra në leximin e raporteve. Le ta lemë Evropën të na pranojnë siç jemi,” tha ai. Arsyeja për këtë “bujari”, sipas analistit, nuk është verbëria e BE-së, por gjeopolitika.
“Ka një kontekst gjeopolitik që favorizon Shqipërinë. Ka një tolerancë nga BE-ja për të na pranuar,” argumentoi Zogaj.
Mesazhi për opozitën
Në këtë prizëm, ai këshilloi opozitën që të mos e luftojë këtë erë të mbarë, por ta shfrytëzojë. “Opozita mund ta konsiderojë këtë si faktor pozitiv,” përfundoi ai, duke sugjeruar se integrimi i vendit është më i rëndësishëm se betejat e momentit mbi detajet e raporteve teknike.
/rtsh.al/