Ligji për administrimin e bashkëpronësisë – Qytetarët nevojë për shërbim cilësor, ankesa për jetën komunitare

Pak kohë nga miratimi i ligjit për bashkëpronësinë, i cili mbart detyrime për bashkëpronarët dhe përcakton standardet e administrimit të ndërtesave, të pyetur nga RTSH, banorët shprehen pro nevojës së tij.
“ …e laj vetë shkallën, dua që kur të futem të kem ndriçim. Kut të ofrohet shërbimi je e detyruar të paguash.”
“Patjetër, sipas ligjit, sipas botës. Kam jetuar 18 vite në Bullgari dhe jam kthyer, atje kishte.”
“Nuk kemi administrim, edhe sikur 15 ditë të vijë do ta paguajmë për të gjithë vitin”, shprehen qytetarët.
Ata banorë që jetojnë në pallatet e ndërtuara vitet e fundit, shfaqin ankesa për komunitetin por edhe ndaj administratorëve.
“Paguajmë 10 mijë në muaj për ashensorin, pastrimin dhe shërbimet e tjera. Ka kaluar 3 vite dhe koha ka vërtetuar që nuk ka funksionuar 100 për qind, për vetë faktin që administratori 1 apo 2 familjeve nuk ja merr pagesën. Njësia jonë duhet të ketë një zyrë që qytetarët të shprehin ankesat”, tha qytetari.
“Nuk paguaj, pasi ashensori sa ka filluar është prishur. Nëse shërbimet janë në rregull, patjetër që paguaj”, shprehet qytetarja.
Nga ana tjetër administratorët thonë se mospagesa nga një pjesë e banorëve ka ndikuar në mbarëvajtjen e punëve dhe buxhetin gjithashtu.
“Një nga shqetësimet që hasim në punën e përditshme është mos pagesa nga një numër i vogël banorësh, flas këtu për pallatet që unë administroj. Kur ja bëj prezent, ata që paguajnë kanë të drejtën e tyre që edhe të mërzitën, pse unë të paguaj dhe tjetri jo. Deri më sot kemi pasur kostot e mirëmbajtjes. Ndryshimi i ligjit besoj se do të bënte punë për këtë situatë”, tha administratori, Adem Cemurati.
Ligji thotë se caktimi i administratorit do të jetë detyrim, ndërsa tarifën që do paguhet e përcakton asambleja e pronarëve të pallatit. Nga pagesa e tarifës së administrimit nuk do të ketë përjashtime, madje nëse ajo nuk paguhet për 1 vit, shkohet deri tek bllokimi i hipotekës së shtëpisë.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/