E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mali i Zi, Presidenti kërkon shkarkimin e zv.kryeministrit: Gjeloshaj më kërcënoi!

Zyra e Presidentit të Malit të Zi njoftoi se Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, i dërgoi një sërë kërcënimesh dhe mesazhesh të papërshtatshme kreut të shtetit Jakov Milatoviç, menjëherë pasi u njoftua se Presidenti kishte kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për Tatimin mbi Pasurinë e Paluajtshme. 

“Duke pasur parasysh seriozitetin e mesazheve dhe përpjekjen e drejtpërdrejtë për të ushtruar presion politik ndaj Kreut të Shtetit, Zyra e Presidentit të Malit të Zi informoi Drejtorin e Policisë. Presim që institucionet kompetente të reagojnë menjëherë,” thuhet në deklaratë.

Kabineti presidencial njoftoi gjithashtu se thirri kryeministrin Millojko Spajiç dhe i kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të Gjeloshajt.

“Nëse sot kërcënohet presidenti për kthimin e ligjit në përputhje me Kushtetutën, nesër mund të këcënohet çdo qytetar që mendon ndryshe,” thekson deklarata.

Ndërkohë vetë presidenti malazez, i cili publikoi disa prej mesazheve të Gjeloshajt, tha se nuk do të dorëzohet para asnjë presioni kur bëhet fjalë për Kushtetutën. Sipas zyrës së tij, arsyeja e kërcënimeve janë disa çështje që ka në gjykatë Komuna e Tuzit, kur drejtohej nga Gjeloshaj, pasi e ka paditur kompania “Plantacionet e 13 korrikut” lidhur me llogaritjen, sipas saj të paligjshme të taksës së pasurisë së paluajtshme mbi tokën bujqësore.

Përmes një deklarate, zv.kryeministri Gjeloshaj i hodhi poshtë si të rreme pretendimet e Zyrës së Presidentit për kërcënim. Ai tha se Kreu i Shtetit  po tenton të përdorë akuzat për të tërhequr vëmendjen nga tema kryesore, që sipas tij është se presidenti refuzoi të nënshkruajë Ligjin për shkak të nepotizmit dhe për të qenë edhe vetë përfitues. Gjeloshaj tha se ka ruajtur të gjithë komunikimin me Milatoviçin.

“Nëse nuk kërkon falje, do të bëj publike të gjitha mesazhet e shkëmbyera që i gjithë Mali i Zi të shohë çfarë presidenti është,” paralajmëroi Gjeloshaj.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›