Ligji per importin e mbetjeve

Integrimi evropian lidhet me shumë çështje, por çështjet e mjedisit në këtë proces janë nga më të rëndësishmet, 30% e Aqui Communitare është e lidhur me mjedisin. Kjo kërkon një angazhim serioz jo vetëm të Ministrisë së Mjedisit, por në një koncept sektorial të qeverisë qendrore, angazhim serioz të qeverisjes lokale dhe gjithë qytetarëve.
Kështu ka deklaruar për mediat ministri i mjedisit Fatmir Mediu duke dhënë vlerësimet e tij edhe në emër të Partisë Republikane.
“Komisioni Evropian ka marë një vendim historik për shqiptarët, duke hapur rrugën për marjen e statusit të vendit kandidat per Bashkimin Evropain. Ky është një moment krenarie legjitime për të gjithë shqiptarët, për mua si qytetar i këtij vendi, kryetar i Partisë Republikane, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe Ministër i Mjedisit. Duke e konsideruar Partinë Republikane pjese të kontributit në këtë proces, dua të theksoj se ky vendim është frut i punës së shqiptarëve, reformave të qeverisë. Në këtë mandat, pas liberalizimit të vizave, ky është një sukses i madh për të gjithë ne dhe moment i reflektimit të përbashkët të gjithë politikës, sidomos për të përmbushur 3 detyrimet e mbetura të cilat kërkojnë që opozita të votojë bashkë me mazhorancën ligjet përkatëse”, vuri në dukje Mediu.
Lidhur me importimin e mbetjeve, ministri Mediu u shpreh se në Shqipëri janë lejuar të importohen para VKM-se së kësaj qeverie mbi 400 lloj mbetjesh, sot e reduktuar ne 56, me një procedurë strikte dhe vendim qeverie.
Ministri Mediu iu drejtua të gjithe aktoreve civile dhe institucionalë që të angazhohen në respektimin e Ligjit për Mbetjet, si një nevojë jetike dhe urgjente.