E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ligji për menaxhimin e Butrintit, Komisioni i Ekonomisë rrëzon dekretin e Metës

Komisioni i Ekonomisë ka diskutuar ditën e sotme lidhur me dekretin e Presidentit Ilir Meta për të kthyer ligjin për menaxhanimin e Butrintit. Diskutimet dhe përplasjet kanë qenë të forta mes opozitës dhe pozitës, por në fund me votat e PS komisioni rrëzoi dekretin.

Presidenti Ilir Meta ktheu ligjin ku tha se cenon Kushtetutën dhe kërkoi ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për Parkun Kombëtar të Butrintit me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare.

Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë një grup nga shoqëria civile po protestonte jashtë Kuvendit, ku deputeti i PD kërkoi që ato të lejoheshin të hynin brenda dhe të dëgjoheshin, por kjo u kundërshtua nga kreu i këtij komisioni Eduard Shalsi.

“Duke pasur parasysh që mbledhje e komisionit janë të hapura për publikun mendoj që ai grup duhet të merrte pjesë. Vendimi që keni marrë nuk më duket i drejtë. Mendoj që edhe mund t’i dëgjonim. Këtu kemi dëgjuar edhe grupe studentore”, tha Spaho

“ Fondacioni është pjesë e marrëveshjes dhe së dyti brenda grupit që erdhi sot ka njerëz që i çmoj edhe kur ndaj opinione të ndryshme, por reagova ndaj një apo dy individësh, pjesë e grupit që nuk kishin synim të shprehnin opinione veçse të shprehnin provokime…Nëse ju dhe do ju ftoja që me disa tipa si ato të dy, me atë grup ku kishte edhe profesorë nuk bëjnë nder për mënyrën se si sillen dhe kjo është arsyeja përse nuk janë në Komision”, tha Shalsi

Por deputetja e PD-së, Ina Zhupa kërkoi që protestuesit të dëgjoheshin pasi ishin në interesin publik, por kjo shkaktoi debate me deputetët socialistë.

Ina Zhupa: Çështja që po trajtojmë është me interes publik, edhe dëgjesat nuk mund të bëhen vetëm për ju. Duhet t’i kishim dëgjuar edhe kur po konsultonim. Nuk janë raportet e 24 dëgjesave. Mund t’i hidhni online për një çështje me interes publik. Nëse i keni bërë hidhini online që ta kemi më të hapur këtë çështje. Shqyrtimi i dekretit të Metës bëhet sot, ndërkohë që unë kam depozituar edhe një projektligj, ndoshta do ishte e udhës që të shqyrtohej njëkohësisht sepse janë nisma që shkojnë me njëra tjetrën, nëse kalojnë ndryshimet që kërkoj unë, atëherë mund të ndryshojë edhe baza ligjore për Butrintin.

Eduart Shalsi: Lexoni nenin

Ina Zhupa: I kam lexuar (flet pa mikrofon)

Erion Braçe: Po boll moj se prandaj është kryetar ai

Marrëveshja për menaxhimin e Butrintit ka shkaktuar debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ku kjo e fundit akuzon qeverinë se hoqi Butrintin si zonë e mbrojtur dhe shikon vetëm paratë që do i vijnë nga ky park përmes bizneseve që do të ngrihen aty.  Marrëveshja synon zhvillimin e Parkut të Butrintit, dhe kthimin e tij në një pikë të rëndësishme turistike. Fondacioni për menaxhimin e Butrintit krijohet në partneritet me Fondacionin jo shtetëror Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›