Ligji për rininë, Muzhaqi: Integrim në tregun e punës, praktika profesionale në administratë

TIRANË, 17 mars/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi prezantoi sot në Kuvend, projektligjin për disa ndryshime ligjin nr.75/2019 “Për Rininë”
Ministrja Muzhaqi u shpreh se ky projektligj vjen si një premtim i mbajtur ndaj të rinjve, si edhe për të përmbyllur një cikël katërvjeçar reformash në fushën e rinisë, që e kanë kthyer rininë në kryefjalë të politikëbërjes, në nivel vendor dhe kombëtar.
“Përgjatë 4 viteve të fundit, si pasojë e miratimit të akteve nënligjore të Ligjit për Rininë, sot janë ngritur dhe funksionojnë një rrjet strukturash, institucionesh, dhe programe që mbështesin të rinjtë në fusha të ndryshme dhe janë arritur rezultate të prekshme, dhe sigurisht prezantimi i ndryshimeve ligjore sot nuk do të ishte i plotë, pa përmendur arritjet e këtij 4 vjeçari në fushën e rinisë, si dhe arsyet që na kanë sjellë sot këtu me këto ndryshime ligjore”, tha Muzhaqi.
Sipas ministres Muzhaqi, “projektligji rregullon njohjen dhe përcaktimin e kompetencave dhe formimit profesional që duhet të kenë punonjësit rinorë”.
“Projektligji i hap rrugë dhe mbështetjes nga AKR-ja për pjesëmarrjen e punonjësve të sektorit që do duan të certifikohen si punonjës rinorë në programet profesionale që do të krijohen sipas ligjit. Në fund dua të theksoj se projektligji është harmonizuar plotësisht me rekomandimet dhe standardet e BE-së në fushën e rinisë.
Ajo theksoi se programi synon të ndihmojë të rinjtë të integrohen më lehtë në tregun e punës, pavarësisht nëse ata zgjedhin të vazhdojnë karrierën në sektorin publik apo privat.
“Ndodh që të rinjtë sapo dalin nga shkolla duan që të punësohen dhe punëdhënësi i kërkon eksperiencë pune. Fokusi është t’i jap eksperiencë pune këtyre të rinjve. Kriteret janë nga mosha 21 deri 26 vjeç dhe që kanë mbaruar një bachelor, nuk është kriteri i notave, ne i japim të rinjve që kanë mbaruar bachelorin mundësinë që të bëjnë një praktikë 3 mujore në administratën publike. Kush arrin që të ketë rezultate të mira mund të punësohet si pjesë e administratës publike’, tha ajo.
Sot, është seanca e fundit përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit dhe besoj që në këtë kuadër, ky projektligj sot, ju jep të gjithëve ju mundësinë, për të bërë një akt sa politik, aq edhe qytetar duke votuar pro këtij projektligji që është tërësisht dhe në çdo pikë të tij, në të mirë dhe në mbështetje të interesave të të rinjve shqiptar.
Nuk ka vend për justifikime apo për arsyetime të tjera, ndaj ju ftoj ta votoni këtë projektligj për çdo të ri që njihni, që të lini një gjurmë pozitive në të ardhmen e tyre”, përfundoi Muzhaqi.
Një nga risitë kryesore të projektligjit është në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, i cili do të ofrojë mbështetje financiare për të rinjtë që kryejnë praktikën në administratën publike.
/a.f/