Ligjvënësit bien dakord për ligjin më të rëndësishëm financiar pas 1930-s
Ligjvënësit amerikanë kanë vulosur një ndryshim historik të sistemit financiar në lidhje me rregullat e reja të funksionimit. Për Presidentin amerikan, kjo është edhe fitorja më e madhe e arritur prej tij për sa u përket politikave brenda vendit dhe kjo ndodh në prag të takimit të G20 që do të diskutojë gjithashtu reformën në sistemet financiare të vendeve të ndryshme të botës. Në një sesion maratonë që ka zgjatur mbi 21 orë, ligjvënësit kanë vendosur që të rishkruajnë rregullat e “Wall Street” duke e vendosur atë në një mbikëqyrje më të ashpër dhe me të rreptë të institucioneve përkatëse. Për të arritur këtë marrëveshje historike, ligjvënësit kanë arritur disa marrëveshje të vogla paraprakisht për sa u takon çështjeve shumë delikate dhe kontradiktore që kanë të bëjnë me funksionimin dhe operacionet bankare. Sipas marrëveshjes së arritur bankat do të kufizohen në operacionet e tyre të rrezikshme me të cilat përfshihen shuma të mëdha parash dhe do t’u lejohet kryerja e investimeve të vogla në fondet private të investimeve. Në këtë mënyrë edhe përfitimet e bankave do të ulen. Marrëveshja e arritur është më gjithëpërfshirësja dhe masivja që nga viti 1930 dhe synon në radhë të parë shmangien e situatës së rëndë të krizës financiare të vitit 2007-2008 që shkaktoi një recesion global në masë të gjerë dhe futi në lojë paketat shpëtimtare me paratë e taksapaguesve. Reforma duhet që të marrë ende aprovimin përfundimtar nga të dy dhomat e Kongresit para se Obama të nënshkruajë ligjin. Por ndërkohë, “Wall Street” do të ketë edhe shansin e fundit për të mobilizuar ushtrinë e lobistëve dhe për ta nisur atë drejt Shtëpisë së Bardhë në mënyrë që të ndryshojë disa pjesë të ligjit. Megjithatë, për vendimin e fundit pritet një procedurë shumë e përshpejtuar, e cila do të çojë në firmosjen e kësaj reforme nga Obama më 4 korrik. Demokratët po nxitojnë që të kryejnë të gjitha veprimet para se Obama të shkojë këtë fundjavë në takimin e G290 në Toronto. “Kriza provoi dhe ngjarjet vazhdojnë që të afirmojnë faktin se ekonomitë tona kombëtare janë pazgjidhshmërisht të lidhura dhe një trazirë ekonomike në një vend përhapet me shpejtësi në vende të tjera. Masat parandaluese që merren në një vend mund të ndihmojnë në sigurinë e të gjitha vendeve të tjera”, ka deklaruar Obama.
#