E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli: Nuk ka datë për vizat

Presidenca e re e BE-së: Na ndihmoni, që t’ju ndihmojmë

Belgjika, vendi që javën e ardhshme merr presidencën e radhës së Bashkimit Europian, nuk jep një datë në të cilën shqiptarët do të kenë mundësi të lëvizin pa viza në Europë. Ishte kryeministri belg, Iv Leterme, dhe ministri i Jashtëm, Steven Vanackere, të cilët në një konferencë për shtyp të mbajtur dje në Bruksel, ku prezantuan prioritetet e presidencës belge, deklaruan se për të përfituar një regjim të liberalizuar vizash, Shqipëria duhet të ndihmonte fillimisht veten. Në mënyrë të qartë Kryeministri belg, Leterme, theksoi se liberalizimi i vizave ishte një proces që zhvillohej në bazë të meritave të çdo vendi dhe për këtë arsye nuk kishte një datë të saktë se kur Shqipëria do të përfitonte liberalizim. “Shumë shtete kërkojnë liberalizimin e vizave, për ta është shumë simbolike, por dhe një mënyrë praktike për të realizuar lëvizjen e lirë të njerëzve. Ne jemi në dijeni të kësaj rëndësie, por ne gjithashtu insistojmë, e këtu nuk ka asgjë armiqësore, sepse kjo shkon me logjikën e kushtëzimit, që këto duhen plotësuar në mënyrë që të merret liberalizim vizash”, deklaroi Kryeministri belg, teksa u pyet për kohën në të cilën liberalizimi do të bëhej realitet. Sipas tij, një rëndësi të madhe në këtë proces do të kishte edhe verifikimi në terren i standardeve që kërkohen nga ana e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. Në këtë kuadër, Leterme theksoi rëndësinë e madhe që kishte plotësimi i kushteve fillimisht nga Shqipëria për sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj. Por ai nuk harroi të theksojë se presidenca belge do ta shikonte me pozitivitet këtë proces, sepse ishin 200 milionë njerëzit të cilët kërkonin të lëviznin pa barriera vizash në Europë. “Na ndihmoni, që t’ju ndihmojmë. Pra rregulloni ato çështje të domosdoshme, në mënyrë që të bëni progres në këtë fushë. Mbyllja e derës nuk është opsion, sepse BE kërkon që të jetë hapësirë e hapur për ata që duan të vijnë e të bëjnë biznes, por kjo duhet bërë në mënyrë të rregullt”, deklaroi Kryeministri belg, vendi i të cilit merr presidencën e BE-së më 1 korrik. Në këtë kuadër, një mision i Komisionit Europian pritet të vijë në Shqipëri në mesin e muajit korrik, për të verifikuar nga afër atë çfarë është bërë në lidhje me plotësimin e kritereve shtesë nga ana e Shqipërisë për të përfituar liberalizimin e vizave brenda këtij viti. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha ka theksuar se qeveria që ai drejton po punon me intensitet për të përmbushur kriteret shtesë për liberalizimin e vizave, që lidhen me strategjinë e të riatdhesuarve dhe marrjen e masave më të rrepta për sa i përket krimit dhe korrupsionit në vend. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë e konsideroi miratimin e rezolutës për Shqipërinë nga Parlamenti Europian pak ditë më parë, si një ogur të mirë për procesin e liberalizimit të vizave që pritet nga çdo shqiptar. Por duket se përshtypjet e misionit të KE-së në Shqipëri për vizat do të kenë një rëndësi të veçantë në lidhje me shanset e qytetarëve të Shqipërisë për ta përfituar lëvizjen e lirë Shengen në fund të këtij viti, ashtu siç është theksuar shpesh nga përfaqësuesit e mazhorancës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›