Ligjvënësit të shqetësuar me ikjen ilegale të qytetarëve

Deputetët e Kuvendit në seancën e sotme kanë paraqitur shqetësimet e tyre lidhur me daljen ilegale të qytetarëve të Kosovës përmes Serbisë duke tentuar të dalin në shtetet e Evropës. Deputetët kanë theksuar se kjo është si pasoj e mos liberalizimit të vizave nga BE-ja, por edhe për shkak të mos krijimit të politikave nga qeveria për t’u krijuar kushte qytetarëve që të mos ikin në vende tjera.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se qytetarët e Kosovës edhe me tutje po mbesin të vetmit në rajon që nuk mund të lëvizin lirshëm në Evropë. Ajo ka pohuar se qytetarët nuk do ta harrojnë tragjedinë e lumit Tisa vite më parë ku humbën jetën 18 qytetarë derisa po kalonin përmes Serbisë dhe Hungarisë, duke u munduar të dalin në shtetet tjera Evropiane, tranmseton RTK-ja.
“Mendoj se është përpjekje e arsyeshme dhe shumë humane sepse këta qytetarë mbi 70 për qind të rinj duan shumë vende pune dhe një jetë me të mirë. Ajo çka po përpiqemi edhe ne, është që qytetarët të lëvizin sa me shpejt, por të kenë mundësi të lëvizin me dokumente e tyre legale. Të njëjtën gjë po mundohet ta bëjë edhe BE-ja por kjo kurrsesi nuk arrihet përmes trafikimit me njerëz, ku përfitojnë strukturat e krimit dhe rrezikohet jeta e qytetarëve tanë e ku këtyre qytetarëve u merren shuma marramendëse parash dhe prapë ndalen nëpër kufi të ndryshëm dhe në rastin e parë kthehen në Kosovë. E njëjta ndodh edhe me 4 mijë kosovarë që mbahen në kampe në Hungari”, ka thënë deputetja Deliu.
Mirëpo, në anën tjetër deputetja e LDK-së, Teuta Sahatçiu ka thënë se qytetarët e Kosovës po ikin nga vendi i tyre, jo për shkak të dhunës, vrasjeve, Policisë, si në kohën e kaluar, por për shkak të sigurimit të bukës së gojës.
“Në të kaluarën kishin zor nga ndjekja nga vrasja e djemve tanë që shkonin ushtarë nëpër kazerma dhe vriteshin. Sot Kosova është e pavarur me institucionet e zgjedhura, sot qytetarët nuk ikin nga ushtria dhuna e policia por sot nga Kosova e pavarur ikin për të siguruar bukën e gojës për vetën dhe familjen. Kur për një vend pune 300 vet aplikojnë, atëherë shihet se këtu nuk është vend ku mund të rrihen. Në Kosovë çdo vit dalin 030 mijë të rinj derisa qeveria arrin të punësoj vetëm 7 mijë vet në vit”, u shpreh Sahatçiu.
Ajo ka pohuar më tutje se Qeveria po hap universitete por nuk po arrin t’u krijoj punë këtyre studenteve që diplomojnë nesër.
Po ashtu, në pikën jashtë rendit të ditës edhe deputetja Hykmete Bajrami ka paraqitur shqetësimin lidhur me nivelin e korrupsionit që po ndodh aktualisht në Kosovë, derisa askush nuk po dënohet për afera korruptive.
“Se në çfarë gjendje jemi si shkak i korrupsionit kjo konfirmohet nga raporti i Transparency Internacional ku thuhet se më shumë se gjysma mendojnë se korrupsioni është në rritje në dy vitet e fundit. Jo vetëm në këto dy vite të fundit por edhe në pesë vjetet e fundit kemi aq shumë vepra korruptive por nuk kemi parë asnjë dënim për ta. Qytetarë e Kosovës nuk mund të mendojnë ndryshe. Duke marr parasysh këto të dhëna nga një organizatë kredibile do duhej ta alarmonte qeverinë. Por në fakt po ndodh e kundërta. Raportet e tilla po injorohen nga qeveria në atë masë sa që po mundohen të vënë në pikëpyetje kredibilitetin e këtyre institucioneve”, ka thënë deputetja Bajrami.
Ndërsa, në anën tjetër deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me peshën e lartë të çantave të librave dhe mjeteve tjera mësimore të nxënësve fillorist, të cilët po e pësojë më shëndet këtë situatë, e cila duhet ndryshuar./Indeksonline/