E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lika: Tani vjen e vështira, na duhet fitorja

 

Trajneri i Partizanit mendon se skuadra e meritoi barazimin dhe me pak kujdes mund të merrte fitoren në Bosnjë

Partizani i trajnerit Hasan Lika, megjithëse gjatë merkatos verore kishte pësuar disa firo me peshë, përsëri besonte se në Bosnjë do të merrte një rezultat pozitiv. Transferta boshnjake përfundoi 0-0 dhe meritë për këtë ka pa dyshim forca kolektive e të kuqve, që në drejtimin e trajnerit Lika kanë ditur të dalin faqebardhë nga stadiumi "Pecara" i Shiroki Brijegut. Në një intervistë për "Sportin shqiptar", trajneri Lika tregon se Partizani i ka të gjitha shanset për t'u kualifikuar, por ndeshja e kthimit do të jetë më e vështirë, pasi me çdo mënyrë kërkohet vetëm fitorja.

- Keni qenë optimistë për transfertën boshnjake, megjithëse nuk kishit informacion të mjaftueshëm për kundërshtarin. Ç'mund të na thoni rreth përballjes së parë me Shiroki Brijegun?

- Mendoj se zhvilluam një ndeshje të mirë, ku meritë kanë të gjithë futbollistët, si dhe arritëm një rezultat të merituar, pra morëm atë që dhamë në fushën e lojës. Duke qenë se kundërshtari luante në fushën e tij, kishte më shumë pretendime. Për ne kishte rëndësi që të ishim të kujdesshëm dhe, nëse do të ishim më të vëmendshëm, edhe mund të kishim shënuar, por edhe mund të kishim pësuar, gjë që nuk u realizua si për meritë të portierit dhe të skuadrës.

- Përpara takimit, boshnjakët ndiheshin të favorizuar, pasi mendonin se Partizani është më vonë me përgatitjet. Mos ndoshta u ndëshkuan nga euforia?

- Ndoshta ata i kanë nisur përgatitjet më përpara, por me kohën që kemi pasur në dispozicion ne arritëm të përgatiteshim seriozisht për ndeshjen dhe shpresoj që për takimin e kthimit të kemi një formë akoma më të mirë. Shpresoj që edhe më 31 korrik gjendja e ekipit të jetë e pranueshme. Prandaj, duke qenë se skuadra po përqendrohet maksimalisht, mund edhe t'i kalojë kushtet e përgatitjes. Pra, në Bosnjë, Partizani ishte i përqendruar dhe u mundua të jaëp më të mirën. Kundërshtari nuk ishte euforik, por ishim ne ata që e merituam këtë barazim.

- Është pretenduar se në fund të takimit Partizani mund të merrte më shumë, sepse i është mohuar një gol. Cili është mendimi juaj?

- Në minutat e fundit ne kemi goditur një top nga këndi dhe lojtarët që kanë qenë të pranishëm në aksion, si dhe ata që kanë pasur këndin e duhur për ta parë, janë të bindur se topi e ka kaluar vijën e bardhë, por anësori nuk e dha. Personalisht, pa e parë edhe një herë, nuk mund të flas me siguri, pasi nuk e kisha këndvështrimin e duhur.

- Në Bosnjë, për Partizanin debutuan disa lojtarë. Cili është opinioni juaj për ata?

- Debutim mund të themi për sulmuesin Ngjela, i cili u aktivizua nga minuta e parë. Mendoj se prezantimi i tij dhe i atyre që hynë si zëvendësues ka qenë pozitiv.

- Shtypi boshnjak, pas takimit, ka folur me superlativa për mbrojtjen e Partizanit si dhe portierin, pasi ata ishin barrierë e pakalueshme për vendësit. Cili është mendimi juaj për këtë vlerësim?

- Në përgjithësi, Partizani vepron si grup, megjithëse duhet pranuar se në takimin e parë individë të veçantë u paraqitën vërtet mirë. Por përsëri i qëndroj mendimit se ne vepruam mirë si skuadër si në aspektet mbrojtëse dhe ato sulmuese, pra Partizani bazohet te loja kolektive. Gjatë ecurisë së lojës me pak kujdes mund të kishim shënuar, pasi edhe rastet nuk na munguan, sepse disa lojtarë të Partizanit patën raste për shënim.

- Si e mendoni takimin e kthimit me Shirokin, që do të luhet më 31 korrik në "Qemal Stafa", si dhe çfarë do të kërkojë Partizani në këtë 90-minutësh të radhës?

- Mendoj se ndeshja e kthimit është më e vështirë se e para, sepse na duhet që ta fitojmë. Prandaj kur të kërkohet fitorja, duhet që të punosh akoma më shumë në drejtim të aspektit sulmues. Pra, do të mundohemi që të jemi më agresivë në lojën sulmuese.

- Meqenëse e njihni tashmë kundërshtarin, mos do ta keni më të lehtë për ta kaluar me sukses takimin e kthimit?

- Normal, që tashmë e gjithë skuadra i di karakteristikat e kundërshtarit dhe të futbollistëve të tij, por kjo gjë vlen edhe për boshnjakët. Gjithçka do të varet se si do të shprehemi në fushën e lojës. Pozitive është se luajmë në fushën tonë, kështu që shanset janë për ne, por edhe ne duhet t'ia bëjmë hyzmetin, pasi e thashë edhe më parë se kjo përballje është më e vështirë, sepse na duhet fitorja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›