E Diel, 1 Nëntor 2026

Sina: Dinamo nuk ka çfarë të humbasë

 

Sipas "pistonit" të djathtë, Elvis Sina, blutë do të luajnë të gjitha "kartat" në Zenicë

Dinamovitët, pasi kanë karikuar "bateritë" e tyre gjatë javës së kaluar në Tiranë, tashmë i pret një sfidë tepër delikate për vetë faktin se në ndeshjen e parë janë mundur 0-2 nga Modrica. Kualifikimi duket një mision i pamundur për kampionët, por në futboll surprizat dhe mrekullitë kanë ndodhur edhe në kaluarën. Pikërisht një nga futbollistët titullarë të Dinamos, Elvis Sina, gjatë një prononcimi për gazetën "Sporti shqiptar" beson se Dinamo e ka forcën për të arritur kualifikimin ndaj Modricës. Sipas numrit 2 të bluve, skuadra ku ai bën pjesë nuk ka çfarë të humbasë dhe do t'i luajë të gjitha "kartat" ditën e mërkurë. "Jemi stërvitur maksimalisht për ndeshjen e kthimit në Bosnjë gjatë javës së kaluar në Tiranë dhe mendoj se tashmë i kemi idetë të qarta. Modrica nuk është më një kundërshtar i panjohur për ne. Nëse në ndeshjen e parë nuk krijuam një ide për të përpara takimit, tani i kemi të gjitha gjërat evidente. Kuptuam forcën e tyre dhe mënyrën e lojës që ata kanë. Por, duke ndryshuar formacionin, sipas provave që kemi kryer në seancat stërvitore, mund t'u bëjmë ndonjë surprizë kundërshtarëve tanë. Gjithsesi, të gjitha rrugët tona na dërgojnë tek fitorja, sepse nuk kemi më asnjë shans tjetër veç takimit të nesërm. Do t'i luajmë të gjitha "kartat" tona deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit. Duke shpresuar te mrekullia, do të mundohemi të japim më të mirën tonë. Nëse e përmbysim këtë rezultat, nuk do të jemi as të parët dhe as të fundit që e arrijmë diçka të tillë. Futbolli na ka mësuar se është i paparashikueshëm dhe në momente që ti mendon se ke fituar, goditesh fatalisht. Personalisht jam në formë dhe do të jap maksimumin tim. Duhet të shpërblej besimin e drejtuesve dinamovitë, të cilët besuan shumë tek unë, duke më afruar te Dinamo,"- e ka mbyllur prononcimin e tij Elvis Sina, i cili është bashkuar këtë sezon me Dinamon, pas "divorcit" me skuadrën e Tiranës. Ndaj Modricës, "pistoni" i djathtë mund të luajë në mesfushë për vetë skemën e re 3-4-3 që do të aplikojnë blutë dhe do të jetë një forcë sulmuese më shumë për kampionët e Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›