E Diel, 1 Nëntor 2026

Limaj: S’duam të shkojmë në zgjedhje, kemi në tavolinë disa opsione për marrëveshjen me Kurtin

Pas dështimeve të njëpasnjëhme të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka ardhur edhe reagimi i kreut të Nismës, Fatmir Limaj. Ai u shpreh se nuk do të kontribuojnë në zgjidhje gjysmake që do të çonin vendin sërish ne zgjedhje.

“Ajo çfarë unë dua të them është se qëndrimi i Nismës është që ne nuk besojmë në zgjidhje parciale, ne duam një shumicë qeverisëse e cila e konstituon edhe Kuvendin edhe krijon qeverinë. Nisma nuk do të kontribuojë, nuk do të jetë kontributore në zgjidhje gjysmake që pastaj do të shkaktonin zgjedhje. Nëse shkojmë vetëm të zgjidhja e çështjes së konstituimit të Kuvendit pa pasur një shumicë, mund të shkaktohen zgjedhje të parakohshme. Por Nisma nuk do të kontribuojë, nuk do të jap kontributin e vet në zgjidhje të tilla gjysmake që nuk zgjidhin çështje ose nuk krijojnë institucionet”, tha Limaj.

Limaj ka mohuar  raportimet  e mediave që në diskutimet me kryetarin e Lëvizjes Vetvendosje Albin Kurti ka pasur ofertë për tri ministri.

“Asgjë nga ato që është folur në media nuk është e vërtetë. As një, as dy, as tri. Më shumë kemi biseduar tema programore, tema politike, diplomatike, temën e sigurisë, e rëndësishme është që në tavolinë ka opsione”, tha Limaj.

Ndër të tjera kryetari i Nismës tha se kërkesa e presidentes për masë të përkohshme e ndihmon procesin.

“Unë besoj nga dje është një situatë tjetër. Mendoj që kërkesa e presidentes drejtuar Gjykatës Kushtetuese në këtë çështje e ndihmon procesin edhe aktualisht të konstituimit të Kuvendit edhe për të ardhmen. Ne jemi dëshmitarë që rregullorja dhe infrastruktura jonë ligjore ka lënë zbrazëtira dhe si rezultat i saj janë krijuar këto situata që i kemi. Kështu që unë besoj që veprimi i presidentes do të ndihmojë të qartësojë për të ardhmen edhe për gjendjen e tanishme edhe për të ardhmen çështjen e konstituimit të kuvendit”, tha Limaj.

Kryesuesi i seancës Avni Dehari e ndërpreu seancën këtë të mërkurë duke thënë se nuk ka kushte për mbajtjen e saj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›