E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lind dhe festohet Dita e durrsakëve

Vali Qyrfyci

Nga ideja në Facebook e disa emigrantëve organizohet një koncert në qytetin bregdetar

Ideja gjeti mbështetje te shumë durrsakë, duke bashkuar artistë dhe qytetarë që kanë të përbashkët vendlindjen

Vali Qyrfyçi

Olen Çezari dhe International Clandestine Orchestra, kanë ngritur peshë sheshin kryesor të qytetit bregdetar në Ditën e durrsakëve. Atmosferë dhe emocion ka përcjellë te pjesëmarrësit koncerti festiv, që nisi si një ide e disa personave që jetojnë jashtë Shqipërisë, në rrjetin social Facebook, që është kthyer në një mjet të rëndësishëm komunikimi mes durrsakëve, pavarësisht distancave gjeofizike, në të cilat ndodhen. Ideja gjeti mbështetje edhe te mjaft durrsakë brenda vendit, duke bashkuar në një ditë, pa ndonjë simbolikë të veçantë për qytetin, artistë dhe qytetarë që kanë të përbashkët vendlindjen dhe krenarinë që buron prej saj. Dita e durrsakëve ka nisur me prezantimin e Forumit të Durrsakëve, për të vijuar më pas me ekspozitën e çelur në Galerinë e Arteve me punime të artistëve të njohur durrsakë në pikturë dhe skulpturë. Dita ka kulmuar me koncertin festiv në sheshin Liria, koncert që është ndjekur nga mijëra qytetarë, si dhe turistë që ndodhen në bregdet për pushimet verore. Të gjithë kanë kaluar një natë të bukur nën ritmin e këngëve, poezive dhe tingujve magjepsës muzikorë, të çliruar nga violina e durrsakut Olen Çezari, ndërsa qielli është ndriçuar nga fishekzjarrët shumëngjyrëshe. Pjesë e koncertit ishte edhe pianistja e mirënjohur Aksinja Xhoja, e nderuar së fundmi me titullin Mjeshtër i Madh për kontributin e shquar në art dhe forcimin e marrëdhënieve të miqësisë mes Italisë dhe Shqipërisë, si dhe këngëtarët Denis Hasa, Rezarta Shkurta, grupi BOB, si dhe Xhelal Tafaj, aktori i mirënjohur durrsak. Indrit Nina, drejtues i shoqatës Forumi i Durrsakëve, shprehet se gjithçka u bë e mundur nga dashuria dhe vullneti për të qenë bashkë, larg diskriminimit, pasi durrsak është çdokush që ndihet i tillë. Ai vlerëson kontributin e cilitdo dhe beson se kjo ngjarje social-artistike do të vijojë. Tani mund të them me bindje se e mbajtëm fjalën e dhënë falë përkushtimit të vajzave dhe djemve të mrekullueshëm dhe mbështetjes që siguruam. Ky është vetëm hapi i parë. Hapa të tjerë na presin. Mot më mirë, thotë Nina. Dita e durrsakëve synon të kthehet në një traditë që bashkon durrsakët që jetojnë brenda dhe jashtë vendit, në sheshin kryesor të qytetit, për tu takuar dhe argëtuar.

Lind dhe festohet Dita e durrsakëve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›