E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Linda Rama, solidaritet me zonjën e parë të Ukrainës Olena Zelensky

Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit shqiptar Edi Rama  ka vlerësuar qëndrimin e popullit të Ukrainës pas sulim rus, duke e konsideruar   një mesazh për botën e lirë, një mesazh që mund të jetë i larte sa vetë jeta. Në një video mesazh drejtuar Olena Zelenskyit, bashkëshortes së presidenti ukrainas Vlodomir   Zelensky, zonja Rama shpreh dhimbjen, por dhe admirimin për qëndresën e zonjës së parë të Ukrainës në këto ditë të vështira për popullin dhe vendin e saj. 

Shumë e dashur Olena,

Unë, familja ime dhe i gjithë populli shqiptar po e përjeton me dhimbje të madhe tragjedinë  e vendit dhe popullin tuaj. Shqiptarët mund ta kuptojnë mirë atë çka po ndodh aty. Ne e dimë se çfarë mbjell lufta, kemi hapur dyert për gjysmë milionë shqiptarë të Kosovës, që iknin nga shtëpitë si ukrainasit e sotëm. Ne e dimë edhe se çfarë prodhon diktatura, pasi jetuam diktaturën më të egër në Europë. Ne, sikundër ju, jemi komb qe e kemi refuzuar çdo përpjekje të huaj për të na tjetërsuar identitetin tonë.

Ne sot e dimë që demokracia është përkatësi e popujve të lirë, ndërsa ju, ukrainasit, po ia rikujtoni botës së lirë se kjo përkatësi ka nje çmim, që mund të jetë i larte sa vetë jeta. 
 
Populli juaj i ka dhënë shumë botës, në histori, kulturë dhe ekonomi. 

Por sot, populli juaj po i jep botës së lire një mesazh zgjimi për kujtesën e saj të kërcënuar nga amnezia historike, një mesazh kuptimi për vlerat universale të rrezikuara nga interesat gjeopolitike, një mesazh shpëtimi për të ardhmen e saj të marrë peng prej frikës, njê shembull rezistence për të mos rënë në kurthet e së kaluarës, një thirrje për të jetuar me pulsin e kohës, me sfidat dhe endrrat e së ardhmes në botën që na bashkon.

Ju. heroikisht, po i jepni botës së lirë mundësinë të jetë e bashkuar dhe e vendosur, jo për ju, po për vetveten. 

Shumë e dashur mike e panjohur, 
Me dhimbjen e madhe që unë dhe çdo nënë shqiptare ndjen për jetët e humbura, për nënat me fëmijë që ndahen nga burrat e vajzat që ndahen prej të dashurve të tyre, lus Zotin që të të japë e t’ju japë forcën e madhe që ju duhet dhe uroj me gjithë zemër që triumfi i padiskutueshëm i lirisë së Ukrainës t’i kthejë sa më parë në shtëpinë e tyre ato miliona nena me fëmijë.
 
Me një admirim të madh për qëndresën tende pranë burrit tënd, së bashku me fëmijët e tu, të siguroj se jemi me ju, deri në fund!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›