E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lindington-Topi: Rëndësi kapërcimi i ngërcit politik

TIRANE-Presidenti i Republikës Bamir Topi priti sot paradite Ministrin e Shtetit në Zyrën e Punëve të Jashtme të Komonuellthit, David Lidington, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Sic bën të ditur zyra për shtyp e Presidencës, duke diskutuar për situatën në vend, Presidenti Topi dhe Ministri britanik i Shtetit, David Lidington theksuan rëndësinë e kapërcimit sa më të shpejt të ngërçit politik nëpërmjet dialogut institucional dhe përmbylljes në mënyrë ligjore të procesit zgjedhor.
Pasi vlerësoi rolin pozitiv e publik të Kreut të Shtetit shqiptar në drejtim të rivendosjes së dialogut institucional politik, Ministri Lidington theksoi rëndësinë e realizimit të reformave dhe plotësimit të kritereve të nevojshme, duke nënvizuar edhe njëherë mbështetjen e pakursyer të Britanisë së Madhe ndaj aspiratave integruese të Shqipërisë për në Bashkimin Evropian.

Sic bën të ditur Presidenca në takim, Topi vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë me Mbretërinë e Bashkuar në të gjitha fushat duke i quajtur ato: “marrëdhënie të një partneriteti dhe aleance të ngushtë”. Kryetari i Shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen për mbështetjen konstante të Britanisë së Madhe në konsolidimin e demokracisë dhe të institucioneve të pavarura si dhe për përmbushjen e ambicjeve integruese euro-atlantike të Shqipërisë.

Presidenti Topi dhe Ministri Lidington gjatë takimit prekën edhe çështje të Ballkanit, duke theksuar rëndësinë e rritjes së kontakteve nëpërmjet nxitjes së dialogut politik dhe bashkëpunimit rajonal në funksion të integrimit të përbashkët në strukturat euro-atlantike.

Në këtë drejtim Ministri Lidington vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për qëndrueshmërinë afatgjatë rajonale dhe përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë pa cënuar e duke respektuar integritetin territorial të çdo vendi balkanik.
Në takim ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mekiluam.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›