E Diel, 1 Nëntor 2026

Lindja e Mesme – Mediat iraniane: SHBA pa lëshime për ndërtimin e besimit në negociata

Në përgjigjen që i ka dhënë propozimit të Iranit për negociata për dhënien fund luftës, SHBA dështoi të ofrojë lëshime konkrete.

Ndërsa nuk ofron lëshime të prekshme, SHBA synon të sigurojë përfitime që nuk arriti t’i marrë gjatë luftës, çka pritet të çojë drejt një ngërçi në negociata, raportoi agjencia iraniane e lajmeve Mehr.

Sipas saj, nisjen e negociatave me SHBA-në Irani e kishte kushtëzuar me përmbushjen e një sërë masash për ndërtimin e besimit, si dhënia fund luftës në të gjitha frontet me theks të veçantë në Liban, heqja e sanksioneve, lirimi i aseteve të ngrira të Iranit, kompensimi për dëmet e luftës si dhe njohja zyrtare e të drejtave sovrane që, sipas agjencisë, Irani ka mbi Ngushticën e Hormuzit.

Por SHBA u përgjigj duke paraqitur një listë me pesë pika, ku ndër të tjera i kërkohet Teheranit që të mbajë në funksion vetëm një objekt bërthamor dhe që stoku me uranium të pasuruar të transferohet drejt SHBA-së.

Ndërkohë, nuk pranohet lirimi i aseteve të ngrira iraniane dhe as pagesa e kompensimeve për dëmet e shkaktuara nga lufta.

Propozimi iranian ishte një përgjigje ndaj një propozimi të mëparshëm të Uashingtonit për bisedime mbi dhënien fund luftës mes dy vendeve, para nisjes së negociatave për çështje më të debatueshme si programi bërthamor i Iranit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›