Lindja e Mesme “në zjarr”! Si i ka shpëtuar udhëheqësi i Hamasit Yahya Sinwar deri më tani vdekjes

Yahya Sinwar, njeriu që ideoi dhe kreu pushtimin e Hamasit në tokat izraelite dhe masakrën e “Të Shtunës së Zezë” të civilëve, është ende gjallë kur e gjithë udhëheqja e “Boshtit të Rezistencës” është zhdukur.
Izraeli në 12 muajt e fundit ka hapur të gjitha frontet si me fqinjët ashtu edhe me armiqtë e tij të largët gjeografikisht.
“E shtuna e zezë” një vit më parë, gjatë së cilës Brigadat Al-Qassam të Hamasit pushtuan territorin izraelit dhe për orë të tëra vranë civilë, rrëmbyen gra dhe fëmijë dhe shkatërruan gjithçka duke përhapur terror dhe vdekje, pothuajse është kthyer në një kujtim të keq të largët.
Nga ana tjetër, Izraeli ka rrafshuar Gazën, ka vrarë liderin de fakto politik të Hamasit në një sulm të saktë në Teheran dhe ka sjellë shkatërrim të plotë në enklavën palestineze. Tel Avivi dhe kryeministri Benjamin Netanyahu janë shfaqur të palëkundur përballë të gjithë presionit dhe brenda një viti vetëm një armëpushim i shkurtër nëntorin e kaluar ishte produkt i presionit amerikan dhe atij perëndimor ndaj Izraelit.
Kohët e fundit, Izraeli ka intensifikuar sulmet ndaj Hezbollahut.
Sulmi më mbresëlënës është ekzekutimi me bombë i liderit 32-vjeçar të organizatës shiite, Hassan Nasrallah.
Libani dhe Hezbollahu, si dhe partneri i tyre, Irani, janë në një situatë dramatike dhe një fitore pason tjetrën për Izraelin.
Yahya Sinwar? Njeriu që planifikoi “të shtunën e zezë” dhe arriti të mbledhë, nën hundën e Izraelit të plotfuqishëm dhe shërbimeve të tij sekrete, armët dhe njerëzit që sollën befasi dhe vdekje në Izrael, mbetet i zhdukur dhe kryesisht i gjallë.
Sinwar ka një reputacion si një njeri që i është shmmangur vdekjes disa herë dhe kjo i ka dhënë atij një status heroik në qarqet e Hamasit dhe pseudonimin “miu i Gazës” nga ndjekësit e tij izraelitë.
Sipas burimeve të shërbimeve sekrete izraelite dhe amerikane, ai ka zgjedhur të qëndrojë në Gazën e rrafshuar dhe të mos ikë përmes Egjiptit në Katar, siç kishte bërë paraardhësi i tij Ismail Haniyeh që nga korriku.
Bazuar në informacionet nga burime amerikane, ai ende po përdor praktikat që e bënë të mbijetojë 22 vjet në burgjet izraelite.
Duke jetuar për një kohë të gjatë në një mjedis izolimi, ai zgjodhi të mësojë hebraisht dhe studioi tërësisht gjatë kohës që kishte në dispozicion zakonet dhe mënyrat e zyrtarëve të rangut të lartë dhe të ulët të Izraelit, shërbimet e inteligjencës me të cilët herë pas here vinte në kontakt.
Ai kuptoi nga afër dinamikën e Izraelit, aftësitë e tij të mëdha logjistike dhe mbi të gjitha studioi pikat e dobëta që ka çdo sistem. Pas lirimit të tij në vitin 2011, kur Izraeli e liroi atë së bashku me 1025 të burgosur të tjerë palestinezë në këmbim të kthimit të ushtarit pengmarrës Hilad Shalit, Sinwar zgjodhi të kthehej në Gaza dhe të përdorte njohuritë që kishte marrë.
Që nga momenti i daljes nga burgu e deri më sot, 13 vite më vonë, ai nuk përdor celularë dhe nuk lejon as njerëzit më të afërt t’i përdorin ato.
Ai madje kishte rekomanduar të gjithë organizatën e Hamasit të bënte të njëjtën gjë duke ditur metodën e gjurmimit të përdorur nga Izraeli.
Gjithashtu, për të komunikuar me eprorët dhe vartësit e Hamasit, ai krijoi një rrjet të tërë lajmëtarësh, të cilët përdornin letra dorë më dorë për të komunikuar.
Gjithashtu duket se prej të paktën katër vitesh ai ka “përqafuar” realitetin se do t’i duhet të jetojë në një nga tunelet e organizatës që zgjodhi t’i shërbente. Edhe para të “Shtunës së Zezë”, daljet e tij publike brenda Gazës ishin të pakta.
Nuk dihet se kur Sinwar do të ketë takimin e tij me vdekjen, por ajo që Izraeli po përpiqet të kultivojë në sfond është se sot nuk po kërkon ta gjejë atë, madje duke lënë dyshime se ai mund të jetë njeriu kyç që solli informacionin vendimtar që Izraelit i nevojitej për të eleminuar figurat udhëheqëse të Hamasit dhe Hezbollahut./vizionplus.tv