E Enjte, 5 Nëntor 2026

Linhart: Hapja e bisedimeve me Shqipërinë domosdoshmëri, shpresoj të ndodhë në dhjetor!

Austria sheh mundësi për arritjen e Konferencës së parë ndërqeveritare brenda këtij viti. Pas takimeve në Shkup, ministri i jashtëm austriak Michael Linhart deklaroi në Tiranë në Konferencën e përbashkët për shtyp me ministren Xhaçka se bëhet fjalë për një shans absolut që të çelen negociatat. “Po kthehemi nga Shkupi dhe jam i mendimit që ne tani kemi një dritare të hapur për të zhvilluar këto bisedime për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Mendoj se nuk është e rëndësishme vetëm për vendet por për të gjithë rajonin, por një hap i mirë për të gjithë Europën. Maqedonia e Veriut apo dhe Shqipëria janë pjesë e Europës, janë në mes të Europës. Nuk duhet të jenë të përjashtuar, këtë mesazh duhet tja japim partnerëve tanë në BE. Është një shans absolut për të hapur negociatat për të dy vendet”. tha Linhart.

Ministrja Xhaçka e sheh situatën me sinjale pozitive pas zgjedhjeve të fundit në Bullgari.” Kanë qenë sinjale pozitive por jemi në kushtet e një realiteti  në zhvillim si në çështjen e presidentit por dhe koalicionit, ndaj është herët të themi nëse do të duhet të ketë një shkëputje mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për Konferencën e Parë Ndërqeveritare”| tha Xhaçka. 

Të dy ministrat janë shprehur të pyetur edhe për nismën rajonale Ballkani i Hapur. “Ky nuk është një proces që nuk e pengon integrimin, asnjë plan apo komplot për ta mënjanuar rajonin tonë nga perspektiva drejt Europës. Është një instrument për të përshpejtuar procesin e Berlinit që garanton 4 liritë e lëvizjes në rajon. Bazohet tek vetë eksperienca e BE-së. Po të kthehemi dhe të shohim si nisi BE, që nga konflikti të kalohet tek bashkëpunimi dhe shkëmbimi” – tha Xhaçka.
“Nuk mendoj që duhet të flasim këtu për pse ose pavarësisht pse. Këtu bëhet fjalë që vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të zhvillojnë marrëdhëniet mes tyre, bashkëpunimin në rajon. Ne e mbështesim këtë gjë dhe BE duhet të zgjasë dorën dhe të bëjë projekte më shumë. Për rininë për shembull që bashkimi të ekzistojë dhe në Ballkanin Perëndimor” tha ministri i jashtëm austriak. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›