Linja e re ajrore Tiranë-Kretë, Veliaj: Shtojmë fluturimet me Selanikun dhe Mykonos

Në prag të sezonit turistik, aeroportit “Nënë Tereza” i është shtuar edhe një linjë e re direkte Tiranë-Kretë. Në ceremoninë e uljes së avionit të parë të linjës, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kjo linjë është lajm i mirë për sezonin turistik në vendin tonë por dhe u vjen në ndihmë bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Kretë. Veliaj tha se pritet të shtohet edhe fluturimet me Selanikun dhe Mykonos.
“Është patjetër një lajm i mirë për sezonin turistik, për turistët që shkojnë andej e këtej kufirit, qoftë në Kretë, qoftë në Tiranë, por edhe për turistët evropianë e amerikanë, që vizitojnë gjithë zonën e Ballkanit dhe e kanë mundësinë t’i shohin të dyja vendet. Ama, është një lajm fantastik edhe për komunitetin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve që jetojnë në Kretë, të cilët janë një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Greqisë”, tha Veliaj.
Teksa vlerësoi liberalizimin e tregut dhe uljen e barrierave, Veliaj u shpreh se këto fluturime kontribuojnë edhe në ndërtimin e urave të miqësisë.
“Sot kemi realitetin e këtij fluturimi të dytë që na lidh me fqinjët tanë, me Greqinë, dhe sigurisht dy udhëtimet e tjera në Mykonos dhe Selanik do të na afrojnë edhe më shumë. Sot jam krenar për punën që ka bërë kryeministri për liberalizimin e politikave aeroportuale, po aq krenar edhe për punën që ka bërë ministrja Balluku. Do të thotë se ne, njerëzit, e paskemi në dorë vetë; nëse duam të liberalizojmë tregun, nëse duam të ulim barrierat, nëse duam të promovojmë këto ura nëpërmjet ajrit mes popujve”, tha ai.
Veliaj nënvizoi se Tirana është kryeqyteti ballkanik më i lidhur me Europën.
“Nuk besoj se mund të kishte një vit më të duhur se ky, kur Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë, për të pasur të gjitha këto lajme të mira. Sot jemi me krenari qyteti më i lidhur në Ballkan, patjetër me Italinë dhe me fqinjët”, deklaroi ai.
Kreu i Bashkisë komentoi edhe çështjen e çmimeve të shërbimit hotelier në vendin tonë dhe të hapjes së aeroportit të Kukësit.
“Ftesa për të gjithë, sidomos për ata që, sportin e cinizmit dhe të skepticizmit e kanë kthyer si një sport kombëtar, mos shani njerëzit që punojnë, as ata që merren me industrinë e turizmit, as ata që merren me linjat ajrore, as ata që merren me hotelet”, nënvizoi Veliaj.
Sarantis Moschovis, përfaqësues i Ambasadës së Greqisë në Shqipëri vlerësoi kontributin e shqiptarëve në shoqërinë greke dhe nivelin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
“Nuk duhet të harrojmë kontributin e shqiptarëve që jetojnë në Greqi dhe sjellin reminitancat në Shqipëri. Perspektiva për të shtuar më tepër zhvillimin e rrjedhës së turizmit dhe marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, janë shumë premtuese. Do doja të përgëzoja kryebashkiakun për këto përpjekje frymëzuese dhe punën e palodhur për t’ia arritur kësaj dite”, theksoi Sarantis Moschovis.