Linjë e re fluturimi Tiranë–Palma de Mallorca nga Aeroporti i Rinasit

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po zgjeron më tej hartën e destinacioneve ndërkombëtare, duke shtuar një linjë të re ajrore që lidh Shqipërinë me një nga destinacionet më të njohura turistike të Mesdheut.
Sipas njoftimit të Tirana International Airport, sot u zhvillua fluturimi inaugurues në linjën Tiranë–Palma de Mallorca, në bashkëpunim me kompaninë ajrore Wizz Air.
TIA vlerësoi se linja e re përfaqëson një tjetër urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Europës, duke zgjeruar mundësitë e udhëtimit për qytetarët dhe turistët.
“Kjo linjë e re forcon lidhjet mes dy vendeve, mbështet zhvillimin e turizmit dhe krijon mundësi të reja për udhëtarët që zgjedhin të udhëtojnë drejt një prej destinacioneve më të dashura të Mesdheut”, bëri të ditur TIA.
TIA vlerëson se destinacionet e reja kontribuojnë në rritjen e flukseve turistike, forcimin e lidhjeve ekonomike dhe promovimin e Shqipërisë si një nyje e rëndësishme e transportit ajror në rajon.
/e.xh/j.p/