Memorandum për krijimin e operatorit të hidrokarbureve, Rama: Garantojmë rezervën strategjike të naftës

TIRANË, 23 qershor/ATSH-Maela Marini/ Qeveria shqiptare dhe kompania italiane e hidrokarbureve “Eni S.p.A.” nënshkruan sot në Tiranë memorandumin e mirëkuptimit për studimin e fizibilitetit të krijimit të kapaciteteve kombëtare për furnizimin dhe magazinimin e produkteve të naftës dhe gazit, në funksion të sigurisë së furnizimit, zhvillimit ekonomik dhe rritjes së rolit të Shqipërisë në rajon.
Marrëveshja parashikon kryerjen e një studimi fizibiliteti për krijimin e kapaciteteve kombëtare të furnizimit dhe magazinimit të produkteve të naftës dhe gazit, duke synuar garantimin e sigurisë së furnizimit, rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike të vendit dhe forcimin e rolit të Shqipërisë, si një nyje e rëndësishme energjetike në rajon. Ky partneritet strategjik me një nga kompanitë më të mëdha globale të energjisë, përfaqëson një investim afatgjatë në sigurinë, zhvillimin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili e vlerësoi këtë partneritet si një moment të rëndësishëm për të ardhmen energjetike dhe ekonomike të vendit.
Rama informoi se bëhet fjalë për krijimin e një kompanie që do të jetë një model i ri i qasjes ndaj tregut kombëtar, por edhe rajonal të hidrokarbureve.
“Kujtoj se kohë parë, me fillimet e këtij mandati të ri, kemi ndarë me publikun ambicien për të krijuar një forcë të re në tregun e hidrokarbureve, një operator modern dhe dinamik i cili bën në njëfarë mënyre edhe rolin e një rregullatori të tregut në funksion të mundësive më të mira për konsumatorët”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje edhe faktin se “rrugës u shfaq një krizë shumë domethënëse që përsëri vuri në diskutim çështjen e rezervave strategjike të naftës”. “Rezervat strategjike të naftës ne i kemi të rregulluara në një kuadër ligjor që me ligjin e ri të çuar përpara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëhet një kuadër i plotë”, shtoi Rama.
Nga ana tjetër, Rama veçoi marrëdhënien jashtëzakonisht të veçantë strategjike me Italinë dhe raportin e afërt të bashkëpunimit me “Eni S.p.A.”, që është një gjigant global në tregun e hidrokarbureve, por njëkohësisht ka edhe prezencën e vetë në Shqipëri prej vitit 2019.
“Ne iu qasëm ‘Enit’ për bashkëpunim strategjik në krijimin e këtij operatori të ri, i cili do të marrë përsipër edhe garantimin e rezervës strategjike të naftës”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se përmes këtij partneriteti, Shqipëria nuk do të ketë më asnjë dilemë për çfarëdo krize që vjen përpara në aspektin e rezervës strategjike.
“Kemi nisur një proces dialogu që na ka sjellë sot në firmosjen e këtij hapi të parë dhe zyrtarizimin e procesi të krijimit të kompanisë. Kompania është një risi, por nga ana tjetër duke pasur parasysh që kemi nga njëra anë bazën shumë solide të vetë ‘Enit’ dhe nga ana tjetër edhe dijen e ekipit drejtues të ‘Enit’ kompania ka mundësi që të bëhet një model i ri i qasjes ndaj tregut jo vetëm kombëtar, por edhe rajonal të hidrokarbureve”, shtoi Rama.
Sipas tij, kjo do të jetë një tjetër kompani mbi vazhdën e atyre që po krijohen me pjesëmarrjen e shtetit shqiptar.
Rama shprehu bindjen se falë dijes që do të sjellë në menaxhim kompania “Eni”, operatori i ri do të jetë aktiv edhe në tregtinë ndërkombëtare të naftës.
“Jemi sot shumë të inkurajuar dhe mirënjohës për gatishmërinë e treguar nga një gjigant global si ‘Eni’ për të bashkëpunuar dhe krijuar këtë startup në fushën e hidrokarbureve së bashku me ne. Me firmosjen e këtij memorandumi hapim rrugën që pa hyrë gushti të rikthehemi këtu për të deklaruar regjistrimin e kësaj kompanie të re, që do të jetë një aleat shumë i rëndësishëm i publikut shqiptar dhe që do të jetë një garant shumë i rëndësishëm i së nesërmes për qëndrueshmërinë tonë, falë këtij bashkëpunimi strategjik me Italinë dhe bashkëpunimit me ekselencën e ekselencave italiane që është ‘Eni'”, shtoi Rama.
/j.p/