E Enjte, 5 Nëntor 2026

Liqeni i Pogradecit ripopullohet me rasate të krapit autokton

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj vizitoi vaskat e prodhimit të rasateve në Lin të Pogradecit.

Në këto vaska bëhet shtimi i rasateve të krapit për ripopullimin e liqenit.

Denja u shpreh se, në Ekonominë e Linit riprodhohen dhe rriten rasatet e krapit autokton, për ripopullimin e liqenit.

Ky proces ndihmon në ruajtjen e biodiversitetit të liqenit dhe mbështetjes së peshkimit artizanal, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe ekonominë lokale, nënvizoi ministrja.

Rasati i krapit autokton është një risi që po rritet dhe zhvillohet në kushte ideale, me qëllim rivitalizimin e jetës peshkore dhe ofrimin e produkteve të freskëta dhe cilësore për tregun shqiptar.

Kjo është risi pas 30 vitesh, pasi për herë të parë po fillohet të ripopullohet me krapin autokton Liqeni i Pogradecit, shpjeguan specialistët, të cilët shtuan se, ripopullimi është në fazat fillestare dhe vitin tjetër do të fillohet të hidhen sasi të vogla.

Janë 4 vaska për mbarështimin e rasatit të krapit, teksa po përdoren vaskat e vjetra të mbarështimit të troftës përpara 30 vitesh.

Ministrja vlerësoi punën e bërë dhe i përgëzoi pasi, u shpreh ajo, të kthehesh pas 30 vitesh me një produkt autokton të liqenit është fantastike.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›