Liria e luksit
Rubrika “Retro”
Ngrihem, çapitem, rrëzohem, gërmoj në skutat më të thella për pakëz dritë, për pakëz shpresë. Njësoj si në kohët migjeniane. Ato kanë mbetur gjithnjë të vetmet elemente mbijetues.
Ngre kokën nga ora e murit e stilit gjerman dhe ajo vazhdon të punojë pa mëshirë, pa keqardhje, pa shumë premtime e shpresa për njerëz të kapluar nga trishtimi njerëzor. Tik-taku i minutave të ikura thërret. Tik-taku që kurrë nuk mund të kthehet më. Tik-taku që duhet kapur medoemos se në të kundërt
Asaj si shumë objekte të tjera të kësaj shtëpie nuk i dhimbsen ndjenjat që unë e njerëz të tjerë si unë përjetojnë. Ato fundja janë aty për të kryer një funksion të përcaktuar e jo për të ndryshuar të gjithë mekanizmin e tyre me garanci e për të na bërë me shpresëdhënës ndaj përkrahjes së objekteve.
Ndodh shpesh të ndjehesh vetëm. Ndoshta i ka ndodhur shpesh çdokujt prej nesh. E në ato çaste kritike vrapojmë për në trenin e retrospektivës për të gjetur copëza mozaiku të së kaluarës, e për ti risjell përsëri autostradave të kujtesës, por që ngjasojnë me makinat e garave.
Të shohësh njerëz që dikur mendoje se i njihje por tani jo më… Madje mendoj se shumë të tjerë takohen me mua në këtë mendim. Në situata a ngjarje të ndryshme ne njohin karaktere njerëzore, njohim mimika që transformohen si me një kërcitje gishtash, ndjejmë nerva që pulsojnë prej inatit a xhelozisë, dëgjojmë zëra që buçasin e që bëhen gati për një të bërtitur të madhe, sikur të gjitha muret e shtëpisë bëhen gati të shemben, sikur prej atij moment ne nuk do të kemi më dëshirë të qëndrojmë me këta njerëz që na duken sa të çuditshëm aq edhe të panjohur. Sikur
E situata fillon të normalizohet ne i japim një autokontroll vetes, dhe mendojmë se gjithçka iu rikthye normalitetit. Që ne jemi po ata që ishim dje, që fundja nuk ka ndryshuar asgjë. Që shkojmë drejt personit në fjalë e që teksa e prekim me mollëzat e gishtave ndjesor fytyrën e skuqur nga buçitja e pakmëparshme kuptojmë se është po ai a ajo që ishte para se të shndërrohej në një llavë vullkanike. E shtrëngojmë rreth vetes për ta qetësuar Ndjejmë pulsin rritës, tëmthat që akoma vallëzojnë një kërcim të paemërt, rrahje zemrash të forta e lot përvëlues.
Është shpesh si një dejavu që përsëritet e përsëritet pa fund e gjitha kjo. Hedh sytë nga ora gjigante e murit përsëri, ndoshta ajo është fajtorja e gjithë kësaj amullie, e gjithë kësaj hapësire të vogël të krijuar në dhomë, e gjithë këtij turfullimi. Ngrihem si një tetraplegjike e shkoj deri tek dritarja për ta hapur atë, pafuqishëm.
Mijëra mirazhe ardhur me shpejtësi me trenin e kujtesës. Cicërima zogjsh, diell vezullues, gjethe e bar gjelbërak, njerëz të hareshëm, makina nxituese, brohoritje fëmijësh që atje tutje luajnë një ndeshje futbolli, vajza që përkunden në litar, perimeshitësi i lagjes që thërret për çmimet e lira që ofron tezga e tij, kjo është panorama jashtë kësaj dhome frymëmarrëse.
Njerëz që janë të lirë të bëjnë çtë duan, që nuk kanë ndoshta stresin e një ore kaq të madhe e luksoze, që megjithëse unike dhe e eksportuar nga jashtë nuk të përmbush asnjë nga kënaqësitë që jashtëdritarja të ofron. Përkundrazi me atë mekanizmin e saj gjermanik të kujton çdo orë e çdo minutë pa harruar të muzikoj kurrë se koha kalon, e se ne ato momente kthehesh në një njeri stresant kur kupton se nga çfarë objektesh të pamëshirshme rrethohesh.
Sikur të kisha mundësinë të mund ti largoja shumë më shumë këto mure për të krijuar hapësira të mëdha. Sikur të ngrihesha nga ky shtrat me çarçafë mëndafshi ku jam pllakosur për tu afruar drejt murit e për të çjerrur letrën murale japoneze që tanimë duhet të ketë marr goxha lagështi, nga numri i shumtë i viteve.
Ndodh shpesh që nuk të mbush asgjë, që nuk ke dëshirë të zgjohesh, që do ta shpiesh veten symbyllurazi në vende ekzotike, në udhëtime që gjithë jetën i ke pritur e ëndërruar. Ndodh shpesh që nuk ke dëshirë që këmba jote të preki ato pantoflat kastori sapo të ngrihen nga krevati e ti drejtohen dyshemesë. Ndodh shpesh që nuk do të shohësh aq rregull e pastërti përreth vetes, as luksin rrethues, as fytyrën e shërbyeses me buzëqeshjen e saj të paguar.
Madje ke një padëshirë të madhe ti drejtohesh pasqyrës, të shikosh bizhuteritë e perlat e shumta në kutinë indiane e që dergjen pazgjidhshmërisht aty. As kremrat e shumtë të natës e ditës, as parfumet parisien, asgjë, asgjë
Sepse asgjë nga këto cingërima (të cilat më parë nuk ishin të tilla) nuk të ngjallin më sadisfaksion, madje me shumë dëshirë do ti këmbeje koleksionet e rrobave e këpucëve me ato të shërbyeses tënde fisnike.
Të dalësh në rrugë, të përzihesh me turmën, të shkosh tek tezga e perimeshitësit, të provosh seç shije ka blerja e të gatuarit për herë të parë. Këto një femër që është rritur ose që ka përjetuar luksin do të donte ti bënte me shumë kënaqësi. Ti bënte gjërat ndryshe. Të mos e gjykonte askush se kush ishte e çfarë kishte, por të mund të ishte e lirë ndoshta për herë të parë në jetën e saj, të dilte mëngjeseve e të shëtiste si një këmbësore e thjeshtë pa shumë salltanete, pa shumë ceremoniale, e pa X5-ën e saj.
Të shkruante ndoshta qindra vëllime librash e të tregonte palumturinë e saj nëpërmjet mendimesh e fjalësh sa të thjeshta aq edhe të ndërlikuara. Për ti thënë të tjerëve se jo gjithçka në jetë është luksi, se jo gjithçka në jetë është shija që ai lë nga pas, se jo gjithçka në jetë është rendja pas parasë. Se ka shumë më shumë gjëra të vogla që japin kënaqësi të mëdha. Të jesh e lirë të mendosh, flasësh e veprosh pa leje, firma e vula perandorake.
Të jesh ti, ti dhe vetëm ti. Të mësosh ti bësh vetë gjërat e të ecësh me këmbët e tua në shkallët e objektivave të vendosura vetes. Për të mos qenë skllavja e kukulla e askujt në jetë të jetëve. Për të mos qenë një femër e marrë si me konçension. Për tu arratisur nga ai luks mbytës, me ornament importues, e që sdo ta kishe asnjëherë të drejtën ti prekje, madje në këtë aspekt shërbyesja ishte shumë më shumë e privilegjuar, ajo mund ti pastronte e ti shijonte në prekje në të njëjtën kohë.
Për të bërë përpjekjet maksimale, për të kuptuar se çfarë realisht kërkojmë nga jeta, e nga vetja. Për të mos pasur rekomandime, sugjerime, deklarata e të tjera si këto nga askush. Sepse kemi lindur për të mos qenë plastelinë në duart e ca fëmijëve që megjithëse të rritur mbeten ende të llastuar, e me ti rënë në dorë duan të na trajtëzojnë sipas pëlqimit e formës që atyre i pëlqen. Jo! Jo të dashur njerëz.
Njeriu mund të shitet, të blihet, të nënshtrohet, të skllavërohet, të pasurohet, të varfërohet, të dashurohet, të urrehet, të trishtohet, të gëzohet, të qajë e qesh, por që përsëri mbetet i njëjti me vlerat e antivlerat, me cilësitë e të metat, me informacionin e dizinformacionin, me inteligjencën e budallallëkun, me realen e surealen, me eksperiencat e mos dijen, mbetet ai e vetëm ai, që askush nuk mund e nuk duhet të përpiqet ta trajtëzoj në një tjetër, duke luajtur rolin e një mjeku gjenetik e për tu krenuar me shpikjen me të madhe të njerëzit, klonimin e një njeriu me sy, flokë, trup e buzëqeshje të njëjtë por me një personalitet tjetër, i trajtëzuar në versionin më të keq e më të përbindshëm të tij.
Njerëzit duhet të kuptojnë që shpirtërorja duhet të triumfojë mbi materialen. Për të mos bërë më komplote të shëmtuara në adresë të njëri-tjetrit por për të qenë gjithnjë vetvetja. Kjo po, që është një fitore e madhe, një trofe që mund ta kesh gjithnjë me vete, padyshime e mëdyshje, por që të duhet thjesht ta mëkosh me shumë dashuri e ndjenjë përkushtimi, për të qenë ai ose ajo që gjithnjë ke ëndërruar.
