Gazetaria e vërtetë bëhet në terren, jo në studio televizive
Flet publicistja dhe gazetarja rebele, Zenepe Luka
Intervistoi: Raimonda Moisiu
Vijon nga numri i kaluar
Në jetën e përditshme si gazetare ju jeni në kontakte me personalitete të kulturës, intelektualë e qytetarë të thjeshtë, figura të njohura të politikës shqiptare dhe asaj të huaj. Sa është prezent atdheu ynë Shqipëria e çështja shqiptare, veçmas ajo e Kosovës e Çamërisë në marrëdhëniet me ta?
Gjatë gjithë karrierës time si gazetare, kam synuar që veçanërisht në intervistat dhe në të gjithë llojet e zhanreve, të bëhen objekt vlerat dhe trashëgimia historike e kulturore e vendit tim, çështja e Kosovës, e Çamërisë dhe veçanërisht unë jam ndalur tek problematika e gruas. Më është dhënë rasti të intervistoj Ambasadorë të huaj, Presidentë, personalitete botërore nga të gjitha fushat dhe pyetja e parë ka qenë: Sa dhe si e njihni vendin tim, Shqipërinë? Kosova ka qenë një temë e mprehtë në shkrimet e mia. Dua tju kujtoj se në vitin e luftës në Kosovë unë kam mbajtur në shtëpinë time në Vlorë 21 pasardhës të Isa Boletinit, që jetonin në Mitrovicë. Do tju kujtoj një rast, që tregon edhe për këmbënguljen time, për të treguar se jam gazetare shqiptare dhe për të arritur atje ku kam synuar. Në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, në vitin 1996, mësoj se kryeministria e Turqisë në atë kohë, Tansu Ciller, kishte gjyshin me origjinë nga Shkupi, por kurrë nuk e kish thënë publikisht. Mora rrugën për në Ankara, ku qëndrova 10 ditë deri sa e takova dhe e saktësova këtë fakt, duke e bërë për herë të parë publik. Çamëria, më dhemb shumë dhe gjithë kohën kam ngulmuar ta pasqyroj duke ngritur edhe zërin, për të kërkuar të drejtat e mohuara. Unë kam një mikeshë në Vlorë, që bëhet prezente herë pas here në shkrimet e mia, gruan çame 106 vjeçare Ildizi Haxhiu, që është një thesar për temat e shkrimeve të mia. Ajo reciton edhe vargje pa fund për Çamërinë, sikurse është historia e CCelo Mezanit. Unë jam në krah të vendit tim, të bashkëkombësve, kur me ose pa dashje ju cënohet imazhi. Unë kam hyrë në burgjet e Italisë, Giavatës në Selamik e kudo dhe jam përplasur me prokurorët e gjyqtarët, që kanë bërë dënim të njëanshëm. Është dënuar maksimalisht shqiptari që ka çuar drogë, por është lënë i lirë italiani, që e priste mallin. Kam bërë një seri shkrimesh për një djalë çam nga Vlora, Elidon Abazi, që është dënuar me 26 vjet burg, pse akuzohet se vrau me skaf financierët italianë. Në të vërtetë ai ka qenë në shtëpi atë natë që ka ndodhur incidenti dhe në Vlorë e dinë se kush është autori. Pavarësisht nga shkrimet e mia, argumentet që paraqes në to, ai vazhdon të kryejë dënimin, pa bërë asnjë faj.
A mendoni se OLD TIMES rezonojnë ndryshe me audiencën e sotme dhe shoqërisë, krahasuar me audiencën e viteve 70, 80, 90 e më pas?
Ajo që duhet thënë që në krye të fjalës është ndryshimi cilësor pas viteve 90-të. Dallohet lehtë që lajmi ka fituar më tepër hapësirë, dhe vjen shumë shpejt drejt audiencës dhe lexuesit. Unë e kuptoj si një revolucion cilësor Old Times dhe mjaft i efektshëm dhe nuk mund të krahasohet me dinamikën dhe shpejtësinë e emetimit të Lajmit në vitet 80-të. Ne gazetarët që kemi punuar në atë periudhë e ndjejmë thellësisht këtë ndryshim. Pa dyshim, ky revolucion, ka bërë që audienca e sotme jo vetëm të jetë më e madhe, por edhe më e informuar. Natyrisht falë edhe teknologjisë dixhitale, pa lënë mënjanë edhe emancipimin e vetë lajmit dhe të vetë gazetarisë shqiptare. Sot, gazetarët kanë mundësinë e trajnimeve nëpër mediat prestigjioze perëndimore por edhe vjeljen e një përvoje mjaft profesionale nga kolegë të ndryshëm si në rajon, në Europë apo dhe SHBA. Nëse i hedhim një vështrim gazetarisë shqiptare, ballkanike apo lindore, krahasuar me atë perëndimore, mbështetur në njohuritë e mia, dua të theksoj faktin se dallimet janë ende esenciale e në ndonjë rast edhe tepër dalluese. Në krahasimi me mediat perëndimore, gazetaria shqiptare pas viteve 90, përjetoi një rilindje, u transformua rrënjësisht. Mjafton të flasim për lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit, dy nga vlerat kryesorë që i kishin munguar tërësisht medias shqiptare gjatë regjimit komunist. Pikërisht këtu starton rilindja mediatike shqiptare, por edhe ajo ballkanike, që kish të njëjtat probleme. Duke u ndalur tek ky proces, gjykoj se gazetaria shqiptare pas viteve 90, e cila fitoi një dimension të ri lirinë e shprehjes dhe lirinë mediatike,pati dhe keqpërdorimet e saj deri edhe deformime të dukshme. Sikurse e kam prekur edhe më lart, një pjesë e mediave në Shqipëri, ende vazhdojnë të jenë të ndërvarura nga qarqe të caktuara politike apo dhe nga pronarë të politizuar, gjë që ka sjellë deformime të vërtetësisë së lajmit apo dhe qëndrime subjektive. Gjithsesi, sidoqë gazetaria shqiptare ka ende problem të raporteve të saj me realitetin apo dhe vërtetësinë e faktit, ka evoluar shumë dhe ka fituar një fizionomi bashkëkohore.
Znj. Luka ju jeni edhe Presidente e Fondacionit Nermin Falaski Vlora, si lindi ideja e themelimit të këtij fondacioni dhe përse e quajtët me këtë emër?
Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Gruaja intelektuale shqiptare”, është themeluar nga një grup grash nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia , Mali i Zi, Kalabria, Greqia. Gjermania, Kroacia, etj, i kryesuar nga ambasadorja e kombit Nermin Vlora Falaschi Pas ndarjes së saj nga jeta, më 28 nëntor 2004, Fondacioni mori emrin e Ambasadores së Kombit, mbesës së Ismail Qemalit, Nermin Vlora Falaschi. Është shpallur si person juridik me vendim nr.158 të gjykatës së faktit Tiranë, dhe operon me degët e tij në 10 shtete. Si në Kosovë,Maqedoni, Mali i Zi, Itali, Preshevë, Gjermani, Kalabri, Belgjikë, Kroaci dhe deri në Amerikën e largët. Detyra kryesore e Fondacionit është bashkimi i zërit të gruas intelektuale shqiptare, për të shpalosur vlerat e gruas,për të sensibilizuar shoqërinë e klasën politike dhe më gjerë, se nuk mund të kemi një shoqëri demokratike,një shtet të së drejtës, nëse nuk vendoset në vendin, që meriton gruaja,nëse nuk respektohet barazia gjinore e gjysmës së popullsisë.
Në fund të muajit maj me iniciativën tuaj u mbajt Konferenca e Parë Mbarëkombëtare me temë: Kontributi i gruas gazetare në tre kohë dhe problematika në ditët e sotme. Çmund të na thoni për këtë eksperiencë mbresëlënëse dhe arritjet e gruas gazetare?
Fondacioni Nermin Vlora Falaschi më parë kish organizuar një konferencë kombëtare të gruas gazetare, me rastin e 60 vjetorit të gazetares, ikonës së TVSH Tefta Radi, ku edhe u dekoruan tre gazetare në tre breza. Konferenca e parë Mbarëkombëtare me temë: Roli dhe Kontributi i gruas gazetare ne tre kohë dhe problematika në ditët e sotme, u organizua me rastin e 40 vjetorit te diplomimit te kursit te pare te gazetarisë, ku bënin pjesë edhe 5 vajza. Morën pjesë 50 gazetare të ardhura nga shumë shtete, anëtare të Fondacionit Nermin Vlora Falaschi, ish studentët e kursit të parë të gazetarisë, diplomuar në maj të vitit 1973, studente të Fakultetit të Gazetarisë. Shkrimtarë e poetë vlonjate, etj. Fjalën e hapjes e mbajti kryetarja e Fondacionit Nermin Vlora Falaschi gazetarja Zenepe Luka. Fondacioni Nermin Vlora Falaschi, po bën atë, që nuk e kanë bërë institucionet përkatëse, që janë marrë dhe merren me median, duke nxjerrë sadopak në dritë figurën e gruas gazetare shqiptare. onferenca është moderuar nga publicistja Desdemona Stefa. Konferencën e përshëndeti znj. Kryetare e Komisionit të Medias në Kuvendin e Shqipërisë, që ndër të tjera tha: Në hyrje të fjalës sime, dua të falenderoj Fondacionin Nermin Vlora Fala